4-vjeçarja shqiptare, që u mbyt në pishinë, ishte fëmijë i vetëm/ Arrestohen edhe babai dhe gjyshi

Një tragjedi e rëndë ndodhi në ishullin e Paxos në Greqi më 22 gusht 2025, kur një vajzë 4-vjeçare humbi jetën pasi u mbyt në një pishinë rreth 500 metra larg shtëpisë së saj.

Vajza, fëmija i vetëm i një familjeje shqiptare që jeton dhe punon në ishull, ishte parë për herë të fundit duke luajtur në kopshtin e shtëpisë rreth orës 15:00.

Kur nëna e saj vuri re mungesën e saj, filloi kërkimet me ndihmën e fqinjëve.

Rreth orës 16:40, vajza u gjet pa ndjenja në një pishinë të një vile me qira, rreth 150 metra larg shtëpisë. Përpjekjet për ta ringjallur në qendrën shëndetësore lokale nuk patën sukses.

Autoritetet arrestuan nënën, babanë dhe gjyshin e vajzës për neglizhencë në mbikëqyrjen e një të mituri.

Trupi i vajzës u dërgua në Shërbimin Mjeko-Ligjor të Korfuzit për autopsi, ndërsa hetimet vazhdojnë nën mbikëqyrjen e autoriteteve përkatëse.

Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve dhe përgjegjësinë e prindërve në mbikëqyrjen e tyre.

Sipas raportimit të SKAI, kryetari i bashkisë së Paxos-it, Spyros Vlachopoulos, deklaroi se vajza 4-vjeçare ishte zhdukur për rreth një orë përpara se të gjendej pa ndjenja në një pishinë rreth 500 metra larg shtëpisë së saj. Ai theksoi se komuniteti është thellësisht i tronditur nga kjo tragjedi dhe se autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes.

“Një vajzë e vogël, rreth 4 vjeç, mesa duket i shpëtoi vëmendjes së prindërve dhe doli nga shtëpia. Rreth 500 metra më tutje ndodhej një vilë me pishinë. Fëmija duket se shkoi atje për të luajtur në pishinë dhe, fatkeqësisht, ndodhi ajo që ndodhi,” tha ai. “Ra në ujë, askush nuk e vuri re. Oficerët e policisë që po kërkonin u përpoqën ta ringjallnin me CPR, por ajo kishte qenë në ujë për një kohë të gjatë.”

I pyetur për prindërit e vajzës, z. Vlachopoulos deklaroi se rreth orës 16:00, ata kuptuan që ajo mungonte, çka bëri që i gjithë lagjja të mobilizohej. 

“Më në fund, një fqinj e gjeti fëmijën rreth orës 16:50, që do të thotë se ajo kishte qenë e zhdukur për afro një orë”.

“Fatkeqësia e madhe është se në vilë kishte njerëz, nuk ishte e pabanuar. Por, fatkeqësisht, askush nuk ishte në gjendje të kuptonte që fëmija kishte rënë në ujë dhe të ndihmonte”.