Autori kishte tentuar vetëvrasje pak kohë më parë!/ 'Pa mesazhin në telefon', ja detajet tronditëse të vrasjes së shqiptares nga i shoqi në Greqi!
Një krim i rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku një 40-vjeçar shqiptar, Pandeli Nakoleci, vrau me thikë bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola, para syve të katër fëmijëve të tyre, të moshës 5 deri në 18 vjeç.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas një debati të ashpër mes çiftit, i cili u ndez pasi autori pa një mesazh në celularin e gruas dhe shpërtheu në xhelozi të sëmurë, duke dyshuar se ajo kishte një lidhje jashtëmartesore.
Prej pasdites së së premtes, policia greke ka nisur kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e autorit, i cili është arratisur me mjetin e krimit, një thikë, në duar. Hetimet janë fokusuar te kamerat e sigurisë pranë rrugëve Konstanta dhe Gladstonos, me synim hartëzimin e itinerarit që ai ndoqi në arrati. Paralelisht, grupe të tjera policore po kontrollojnë strehime të mundshme ku ai mund të fshihet, ndërsa nuk përjashtohet edhe skenari që ai të ketë kryer vetëvrasje. Kjo pistë shihet si e mundshme për shkak të historikut të tij me probleme të shëndetit mendor dhe tentativave të mëparshme për vetëvrasje.
Sipas mediave greke, vetëm dy muaj më parë, më 28 qershor 2025, Nakoleci ishte shtruar në klinikën psikiatrike të Volosit, pasi u përpoq të hidhte veten nga veranda e shtëpisë së tij, gjithashtu në prani të fëmijëve. Raportohet se ai ka qenë i varur nga droga dhe nën ndikimin e saj në disa raste. Në të kaluarën, konkretisht në vitin 2019, ai ishte arrestuar tre herë për posedim dhe trafik droge, por qëndroi në burg vetëm dy muaj.
Dëshmitarët okularë tregojnë se menjëherë pas krimit kanë parë fëmijët të vraponin të trembur dhe të dëgjonin britmat e tyre. Një fqinj deklaroi për mediat greke: “Pashë një dritare të thyer dhe një grua të mbuluar me gjak. Pashë një burrë që po vraponte me një mjet të mprehtë në dorë, zbathur, duke bërtitur ‘po më ndjekin’”.
Vajza e madhe e çiftit, 16 vjeçe, foli për median lokale gegonota.news, duke treguar se prindërit kishin pasur debate të vazhdueshme. “Nuk e di pse u grindën, por babai ishte gjithmonë shumë xheloz. Në një periudhë, mami e kishte larguar nga shtëpia”, u shpreh ajo.
Nga hetimet e deritanishme, është mësuar se pas sherrit brenda apartamentit, autori e goditi gruan me thikë në qafë dhe shpinë. Ajo u përpoq të largohej, por ai e ndoqi deri në hyrje të pallatit ku e goditi sërish, duke e bërë të rrëzohej mbi një vetratë xhami, që u thye dhe i shkaktoi plagë të rënda. Burime nga Spitali thonë se plagët e shkaktuara nga thika nuk kanë qenë domosdoshmërisht fatale, por dyshohet se viktima ndërroi jetë pasi ra mbi xhamin e thyer.
Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin vendas, i cili shprehet i habitur se si një familje e qetë, pa histori të dhunës në të kaluarën, u përfshi në një tragjedi kaq të rëndë. Fëmijët e çiftit ndodhen në gjendje shoku, ndërsa njëri prej tyre ka rrëfyer me lot në sy para policisë: “E pashë babin duke e goditur mamin me thikë”.
Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit, ndërsa banorët e zonës ndjekin me ankth çdo zhvillim të kësaj ngjarjeje tragjike që ka lënë pas një familje të shkatërruar.