EMRI/ Makina i pret rrugën motorrit në Ksamil, plagoset rëndë 29-vjeçari, niset drejt Spitalit të Traumës

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ksamil, pranë pikës së karburantit në rrugën “Butrinti”. Një makinë tip Nissan me targë AB590NA, drejtuar nga shtetasi turk Demor Tunahan, i ka prerë rrugën një motorri që drejtohej nga Mario Selishta, 29 vjeç, me origjinë nga Dibra dhe prej vitesh banues në Itali.

29-vjeçari ndodhej në Ksamil për pushime kur u përfshi në aksident. Ai u transportua menjëherë në spitalin e Sarandës, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas mjekëve, Selishta ka marrë plagë të rënda.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai do të dërgohet me ambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.