Interi mbyll goditjen e re, Andy Diouf zyrtarisht zikaltër
Inter ka zyrtarizuar transferimin e Andy Diouf nga Lens, duke shtuar forcë dhe cilësi në mesfushën e trajnerit Chivu. Operacioni u mbyll me shpejtësi për një shumë prej 25 milionë eurosh, përfshirë bonuset, ndërsa sot lojtari kreu vizitat mjekësore në Rozzano dhe më pas firmosi kontratën pesëvjeçare me klubin zikaltër.
Në komunikatën e klubit, Inter e përshkroi Diouf si një futbollist me pasion dhe karakter, i mësuar të përballet me sfida dhe të rindërtojë veten për të ndjekur ëndrrën e tij. I lindur më 17 maj 2003 në Neuilly-sur-Seine, nga baba senegalez dhe nënë franceze, Diouf u rrit në Nanterre, ku futbolli ishte pjesë e pandashme e jetës familjare. Me mbështetjen e prindërve dhe dy vëllezërve të tij, të dy futbollistë, ai nisi rrugën e tij që në moshën 6-vjeçare te Garenne-Colombes.
Në vitin 2012 bëri hapin vendimtar drejt akademisë së Paris Saint-Germain, ku shfaqi potencialin e tij në turne ndërkombëtarë dhe ku kuptoi se futbolli do të ishte jo vetëm pasion, por mënyrë jetese.
Interi arriti të mposhtë konkurrencën e fortë për mesfushorin 22-vjeçar, të gjatë 1.87 metra, duke kaluar ofertat e Napolit, West Ham dhe Crystal Palace, të cilat u ndalën te shifrat rreth 20 milionë euro.
Me këtë goditje, Chivu fiton një lojtar që i shton mesfushës forcë fizike, aftësi driblimi dhe shpërthime, elementë që e pasurojnë më tej organikën e zikaltërve për sezonin e ri.