Foshnja 18-muajshe bie nga makina në lëvizje: E shtyu vëllai i madh. Transportohet në gjendje të rëndë në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën e Viterbos, në Itali, ku një foshnjë vetëm një vjeç e gjysmë ka pësuar plagë të rënda pasi ka rënë papritur nga makina në lëvizje. Ngjarja ka ndodhur në rrugën provinciale që lidh Corchiano me qytetin e Viterbos. Fëmija ndodhej në makinë së bashku me nënën dhe vëllain e tij 3-vjeçar.

Sipas deklarimeve të nënës për autoritetet, vëllai 3-vjeçar i foshnjës ka arritur të çlirojë rripin e sigurimit të karrocës së foshnjës dhe më pas ka hapur derën e pasme të makinës. Si pasojë, foshnja ka rënë nga automjeti që ishte në lëvizje. Nëna ka ndaluar menjëherë makinën dhe ka marrë fëmijën e gjakosur në krahë, duke e çuar me urgjencë në spitalin Santa Rosa.

Pasi është ekzaminuar nga mjekët, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar, është marrë vendimi për transportimin urgjent të foshnjës me helikopter në Policlinicën ‘Gemelli’ në Romë. Aty ndodhet ende i shtruar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të verifikuar versionin e ngjarjes të dhënë nga nëna e fëmijëve.