Drizan Shala: Politika në Kosovë nën presion diplomatik, ende s'kemi institucionet legjitime
Vendet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike në Kosovë të përmbahen nga “ndërmarrja e hapave të mëtejshëm” për pengimin e regjistrimit të partive të komunitetit pakicë për zgjedhjet e ardhshme lokale, një ditë pasi partisë më të madhe të serbëve në vend iu mohua certifikimi.
Drizan Shala, ekspert sigurie në Kosovë në një intervistë për Syri Tv, tha mbrëmjen e sotme se gjëndja në Kosovë është e agravuar në sistemin politik dhe se nuk ka interes nacional për të adresuar nevojën imediate të krijimit të institucioneve.
“Jemi nën presion të ashpër diplomatik. Çertifikimi i subjektit politik të Listës Serbe, është vetëm në fazën e parë. Lista serbe ka dhe një mbështetje të ambasadorëve të Quintit në Kosovë.
Nuk ka interes nacional të spektrit politik për të adresuar kërkesën dhe nevojën imediate për të ndërmarrë veprime konkrete për të krijuar stabilitet që reflektohet dhe në aspektin e sigurisë. Nga muaji shkurt kur janë mbajtur zgjedhjet e ende nuk kemi institucione legjitime. Ky është një fragment negativ. Ndërsa kemi hyrë në procesin e zgjedhjeve lokale” theksoi Shala për gazetaren Armela Ferko.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.