Sinani, i kënaqur me përforcimet e Vllaznisë: Skuadra është e kompletuar, Bismark do të shihet në ditët në vijim
Drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani, shprehet i kënaqur me merkaton e kryer, duke vlerësuar përforcimet e reja dhe eksperiencën që ato sjellin në ekip. Ai thekson se skuadra e përgatitur nga Edi Martini është e kompletuar dhe funksionale edhe pa afrime të tjera.
“Besoj se jemi të kënaqur. Kanë ardhur lojtarë të mirë, me eksperiencë, që do të na japin një dorë të madhe dhe do të ndihmojnë ekipin shumë. Koha do të tregojë, por deri tani jemi të kënaqur,” u shpreh Sinani për RTSH para ndeshjes së parë të kampionatit.
Sa u përket lojtarëve të tjerë, si Kallaku, drejtori sportiv thekson rëndësinë e të gjithë grupit: “Të gjithë janë të rëndësishëm për ekipin, ka shumë kohë deri në fund të sezonit. Të gjithë do të luajnë dhe do të japin kontributin e tyre, edhe ata që qëndrojnë në stol. Kallaku dhe të tjerët do të jenë të domosdoshëm gjatë rrugës tonë.”
Në lidhje me mundësinë e rikthimit të sulmuesit Bismark, i huazuar më parë për Europën, Sinani është i rezervuar: “Nuk e di si do të bëhet në vijim, por për atë që ka luajtur, ka lënë përshtypje shumë të mirë. Merkato është e hapur, por edhe me këtë kontingjent jemi të kënaqur. Të gjithë janë të mirë për ekipin. Do të shohim çfarë ndodh deri në fund.”