Seria A, ekuilibër total: katër skuadra për titull, kaos për Europën

Pritja më në fund ka marrë fund. Pas 90 ditësh, Seria A rikthehet dhe në këto tre muaj shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani, skuadrat do të duhet ta tregojnë veten në fushë. Ja çfarë mund të presim:

Gara për titullin/Champions

Nëse një vit më parë beteja për titullin ishte mes Interit dhe Napolit, këtë sezon pritet një garë më e hapur. Katër skuadra nisen si favorite për të fituar “scudetton” ose, në minimum, për ta mbyllur në “top 4”: Napoli, Inter, Juventus dhe Milan.

Interi ka ruajtur formacionin bazë, duke shtuar disa alternativa të reja në stol. Pas katër vitesh nuk do të jetë më Simone Inzaghi në pankinë, por Cristian Chivu, një emër i cili mbetet ende një pikëpyetje në nivelet më të larta, me gjithë besimin e madh nga Marotta dhe Ausilio.

Napoli i Contes ka forcuar skuadrën kampione të Italisë me emra si De Bruyne, Lang dhe Gutierrez, ndërsa pritet edhe një sulmues për të zëvendësuar Lukakun e dëmtuar (favorit është Hojlund). Me një organikë të tillë, duket i përgatitur për të përballuar si kampionatin ashtu edhe Champions-in.

Milani hyn gjithashtu si pretendent, pavarësisht se nuk luan në Evropë. Ashtu si Napoli vitin e kaluar, kuqezinjtë vijnë pas një sezoni të dështuar, por kanë shtuar eksperiencën e Max Allegrit në pankinë dhe Luka Modric-it në fushë.

Juventusi i Tudor-it shihet një hap pas, por vetëm në letër. Merkatoja nuk ka qenë e pasur (kanë ardhur vetëm Jonathan David dhe Joao Mario), por kthimi i Bremer mund të jetë goditja më e madhe e verës.

Zona Europiane

Pas “katër të mëdhenjve”, beteja për vendet e Europës është e hapur. Roma e Gasperinit dhe Lazio e Sarrit kanë objektiva të mëdha, por me kufizime financiare të forta. Fiorentina është forcuar me lojtarë me përvojë si Dzeko dhe Piccoli, duke marrë edhe Piolin si trajner. Como e Fabregasit vazhdon projektin e të rinjve me prurje si Baturina dhe Addai, ndërsa Bologna dhe Atalanta shpresojnë të surprizojnë, edhe pse kanë humbur lojtarë kyç.

Lufta për mbijetesë

Në fund të tabelës, Pisa e Gilardinos duket më e dobëta. Për të shmangur rënien, do të luftojnë Cremonese (me afrime të reja në merkato), Lecce (pak investime pas shitjeve të janarit) dhe Parma, e cila ka shitur pjesën më të madhe të ‘yjeve’ të saj.