'Drejtësia e pavarur, iluzion', Blushi: Në Shqipëri ka regjim mafioz, SPAK hesht për aferat korruptive të Ramës dhe familjes së tij

Në intervistën e ditës në Syri TV, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh me tone të forta për gjendjen e drejtësisë në Shqipëri. Ai e cilësoi sistemin aktual si një regjim mafioz, ku drejtësia është vetëm një emër pa pavarësi dhe funksion real, duke theksuar se është përdorur si një mjet për të goditur kundërshtarët politikë.

Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama për përfshirje në disa prej skandaleve më të mëdha korruptive në vend, përfshirë aferën e inceneratorëve dhe çështjen McGonigal, për të cilën ekziston një aktakuzë në Shtetet e Bashkuara. Ai kritikoi mungesën e veprimeve nga SPAK ndaj këtyre rasteve, ndërkohë që sipas tij, liderët e opozitës po përballen me ndjekje politike dhe padrejtësi.

Pjesë nga deklarata:

Në një regjim mafioz si ky, është iluzion të pretendosh se mund të kemi një sistem drejtësie të pavarur. Ne kemi një sistem drejtësie që vetëm emrin ka të tillë, por nuk është asgjë tjetër veçse një kamzhik në duart e Ramës për të goditur kundërshtarët e tij politikë. Në një regjim mafioz, drejtësia ka kapitulluar është një drejtësi e asgjësuar.

Unë kam renditur sot të paktën 18 afera kriminale, të cilat nuk kanë nevojë për hetim të thelluar, sepse faktet janë në dritë të diellit. Është afera e një inceneratori, ku mjafton vetëm firma e Edi Ramës për t’i dhënë bonusin 8% kompanisë së inceneratorit që nuk ekziston. Kompania nuk ekziston as në letra pra mjafton vetëm ky fakt, pa harruar edhe 17 afera të tjera ku janë të përfshirë familjarë të tij.

Janë një sërë skandalesh, një sërë aferash. Sigurisht, kryesorja është edhe çështja e McGonigal, e cila ndërkombëtarisht e shpalli Edi Ramën si një kryeministër korruptues, në nivel ndërkombëtar dhe deri në nivelet më të larta të FBI-së. Kemi një aktakuzë zyrtare në SHBA, ku Rama përmendet 14 herë, ku Rama sipas drejtësisë amerikane, dhe jo sipas opozitës ishte ai që korruptoi McGonigal për të ashtuquajturën shpalljen e “non-gratave” apo për sulmet e orientuara politikisht nga Tirana, por me qëndër në Uashington, për të goditur opozitën në Shqipëri. Korruptuesi ishte Edi Rama dhe këtë e thotë drejtësia amerikane.

Janë një sërë skandalesh për të cilat nuk ka nevojë për hetim të thelluar. Faktet janë aty, por SPAK ende nuk ka nisur asnjë hetim për këto afera. Krejt e kundërta ndodh me liderët e opozitës si Meta, i cili prej muajsh është në paraburgim pa prova, i rrëmbyer në mënyrë terroriste. Rasti i liderit historik të PD-së, Sali Berisha, është tashmë në gjykim, vetëm për firmën që Rama hodhi për tjetërsimin e klubit sportiv Partizani.

Kemi dy kontraste të qarta, të cilat vërtetojnë dhe rrëzojnë iluzionin e kujtdo se në këtë vend ka drejtësi dhe të kujtdo që mendon se SPAK është i pavarur dhe po lufton korrupsionin.