SYRI TV - Shkodër/ Ura e Drishtit me dërrasa të kalbura, jeta e banorëve çdo ditë në rrezik
Ura e varur që lidh fshatrin Drisht me qendrën e njësisë administrative Postribë, është kthyer në kërcënim për banorët e zonës. Dërrasat e urës janë kalbur ndërsa pjesa metalike e strukturës është ndryshkur, duke u kthyer në rrezik për fëmijët dhe përdoruesit e urës. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia Shkodër, për të zëvendësuar pjesët e dëmtuara të urës.
Nga SYRI TV
Ura është jetike për banorët e fshatit Drisht në Postribë. Ajo lidh fshatin me qendrën e njësisë administrative, por kalimi mbi të është një makth për banorët.
Ura është rrezik për të moshuarit dhe fëmijët, këta të fundit së shpejti do të rithehen në shkollë, duke përdorur pikërisht këtë urë plotë rrezik, për të shkuar drejt dijes.
Dërrasat e urës janë kalbur duke u thyer, në disa segmente janë krijuar hapësira të mëdha, të cilat kalohen me shumë vështirësi. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia e Shkodrës, për rikonstruksionin e urës.
Veç dërrasave, urës i janë dëmtuar edhe kavot e çelikut dhe pjesë të tjera metalike të strukturës për shkak të ndryshkut.