SYRI TV/ Promovimin i librit për Ibrahim Rugovën, Berisha: Rugova, gjeni i kombit
Lideri i opozitës, Sali Berisha, e cilësoi Ibrahim Rugovën si gjeniun e kombit shqiptar, duke e renditur në një linjë me Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë.
Në një fjalim të mbajtur gjatë promovimit të librit "Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës", Berisha solli kujtime personale dhe vlerësime për unitetin që u krijua rreth projektit të pavarësisë së Kosovës.
Kreu i opozitës ndau edhe detaje nga marrëdhëniet e tij personale me Rugovën, duke kujtuar se ndërhyrja amerikane i shpëtoi jetën këtij të fundit pas rrëmbimit nga Millosheviçi.
Berisha lëshoi një akuzë të fortë ndaj qeverisë Rama, duke dënuar faktin që shtatorja e Ibrahim Rugovës ndodhet prej pesë vitesh në magazinat e Tiranës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në promovimin e librit “Doktor Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, ku shprehu vlerësimet më të larta për Presidentin historik të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi Rugovën si një gjeni të kombit shqiptar dhe theksoi se ai i mësoi elitës politike të Kosovës doktrinën e shtetformimit.
Kreu demokrat dënoi gjithashtu mosvendosjen e shtatores së Rugovës nga qeveria socialiste.
Ish-europarlamentarja Doris Pack tregoi se si Ibrahim Rugova kujdesej për qytetarët dhe për Kosovën.
“Rugova ishte një lider, një lider i madh. Ai kujdesej për interesat e qytetarëve të tij. Mendonte që ata të kishin ushqim, mundësi shkollimi. Ai nuk punonte për lavdinë apo përfitimet personale. Mendoj se shumë politikanë aktualë duhet të ndjekin shembullin e tij, dhe jo të shpërfillin strukturat demokratike dhe nevojat e njerëzve për arsim, shëndetësi dhe punësim. Ata janë zgjedhur për të punuar për popullin, jo për lavdinë e tyre.”
Autorët e librit, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Korab Kastrati, ndanë përshtypjet e tyre për figurën e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në promovimin e librit “Doktor Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës” morën pjesë personalitete nga jeta politike në Kosovë dhe Shqipëri.