SYRI TV/KQZ konfirmon manipulimin me votën e diasporës, i bllokon DHL-së 9.2 mln euro! Shkeli kontratën
Prej më shumë se dy muajsh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bllokuar pagesën 9.2 mln euro që i detyrohet kompanisë postare DHL, për shërbimin e shpërndarjes së votës së Diasporës. Komisioneri shtetëror Ilirian Celibashi tha për Syri TV se po verifikon nëse DHL ka përmbushur kushtet e kontratës dhe nuk ka bërë asnjë pagesë deri më tani, ndonëse të gjitha faturat financiare kanë mbërritur.
Me këtë qëndrim, faktohen akuzat e opozitës për deformimin e votës së diasporës dhe mosdorëzimin e votës personalisht tek zgjedhësi. Ndonëse politikisht, Celibashi fliste për një proces model me standarde evropiane, juridikisht ai kërkon të lajë duart nga shkeljet kontraktuale.
SYRI TV
Ndonëse publikisht dhe politikisht Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirian Celibashi foli për një proces model të votës së diasporës, kur vjen puna tek certifikimi i akteve ligjore dhe pagesave që e ngarkojnë me përgjegjësi juridike, ai refuzon të përmbushë detyrimet financiare, dhe shkak janë pikërisht shkeljet e shumta kontraktuale. 3 muaj pas zgjedhjeve, KQZ refuzon të paguajë faturën 9.2 mln euro që i detyrohet DHL për shërbimin postar të shpërndarjes së votës së diasporës. Bllokimin e pagesës e konfirmon për Syri TV vetë Komisioneri Shtetëror, i cili thekson se KQZ po verifikon nëse janë përmbushur kushtet e kontratës. Bëhet fjalë pikërisht për një nga shkeljet më të denoncuara nga opozita dhe vetë emigrantët, atë të mosdorëzimit të zarfit personalisht tek zgjedhësi.
KQZ konfirmon se nuk ka kryer asnjë pagesë për DHL deri tani. Jemi akoma në procesin e vlerësimit të informacionit dhe të dhënave që kompania ka dorëzuar në KQZ.
Celibashi konfirmon për Syri TV se kompania DHL i ka dorëzuar të gjitha faturat financiare në KQZ për shërbimin e kryer. Në bazë të kontratës, KQZ ka detyrimin të kryejë pagesën jo më larg se 30 ditë nga dorëzimi i faturave, por prej më shumë se dy muajsh, Komisioni përgjegjës për zgjedhjet refuzon të shlyejë detyrimet, për të shmangur përgjegjësitë ligjore ndaj shkeljeve kontraktuale. Me këtë qëndrim KQZ konfirmon edhe njëherë denoncimet e opozitës se votimi i diasporës pati parregullsi dhe kompania e kontraktuar nuk respektoi kontratën për të ofruar shërbimin në mënyrë të rregullt.
Problemet më të mëdha u konstatuan në Greqi, ku nënkontraktorët nuk dërguan zarfet me fletët e votimit në adresat e emigrantëve. E në shumë shtete të tjera, zarfi me fletën e votimit nuk iu dha në dorë emigrantëve, që më pas duhet të firmosnin edhe marrjen në dorëzim. Por përtej të gjithë problematikave, KQZ u mundua që të mbulojë parregullsitë, duke e cilësuar procesin të rregullt. Pra, e thënë më qartë, në momentin që diskutimi është në nivelin politik dhe me fakte publike për parregullsi, KQZ flet për një proces model, ndërsa juridikisht shmang përgjegjësitë ligjore për mosrespektimin e kontratës nga DHL dhe shkeljet për deformimin e votës së diasporës.