Studentët i përgjigjen Vuçiçit: Debat vetëm në fushatën zgjedhore
Studentët nga disa fakultete në Beograd, që prej javësh janë në bllokadë, i janë përgjigjur ftesës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç për një debat publik, duke deklaruar se do të pranojnë të përballen me të vetëm gjatë fushatës zgjedhore.
Studentët e Fakultetit të Filozofisë bënë të ditur në rrjetin social “X” se presidenti, i cili më parë i kishte quajtur “terroristë”, po kërkon debat për shkak të rebelimit popullor ndaj tij. “Do të debatojmë për vizionet dhe programet për të ardhmen, në fushatën zgjedhore, kur ai të shpallë zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e tyre.
Mesazhi i tyre përfundoi me thirrjen: “Shpallni zgjedhje, fund ‘debati’”. Edhe studentë nga fakultete të tjera u solidarizuan me këtë qëndrim përmes postimeve të ngjashme në rrjete sociale.
Nga ana tjetër, presidenti Vuçiç u shpreh i gatshëm për një debat televiziv me përfaqësuesit e lëvizjes studentore. “Jam gati të hyj në dialog, në një debat publik, me tre ose katër persona që mendojnë ndryshe. Jo për t’i mundur, por për të gjetur zgjidhje së bashku”, deklaroi ai, duke theksuar se ky proces duhet të jetë një “luftë vizionesh për të ardhmen e vendit”.