Kim Jong Un nderon me dekorata dhe përqafime ushtarët që luftuan në Ukrainë, gjunjëzohet përpara fotografive të atyre që ranë në fushë betejë
Fotografitë e publikuara sot nga mediat shtetërore të Kores së Veriut, tregojnë liderin e vendit, Kim Jong Un, te gjunjëzuar përpara fotografive të ushtarëve që ranë në fushën e betejës në përkrahje të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe duke përqafuar ushtarë të mbijetuar të luftës.
Në një ceremoni në selinë e Partisë së Punëtorëve të Koresë në Pyongyang, Kim Jong Un nderoi ushtarët që u kthyen nga fronti, duke i përshkruar si “heroikë” dhe “të admirueshëm”, të cilët përballuan “breshëritë e plumbave dhe bombave”.
Fotografitë tregojnë liderin dukshëm të emocionuar, duke përqafuar një ushtar të tronditur, me fytyrën e tij mbi gjoksin e Kim Jong Un.
Kim Jong Un shfaqet i gjunjëzuar para një fotografie të një ushtari që ra në betejë, para se të vendoste dekorata dhe lule përpara fotografive të të tjerëve që ranë gjatë luftës kundër forcave ukrainase.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, ai i akordoi edhe titullin “Hero i Republikës Popullore Demokratike të Koresë” komandantëve që morën pjesë në operacione jashtë vendit dhe që kryen akte të jashtëzakonshme trimërie.
Në prill, Koreja e Veriut konfirmoi për herë të parë se kishte dërguar një njësit ushtarak për të luftuar kundër forcave ukrainase në krah të Rusisë.
Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut dhe vendeve perëndimore, Pyongyang kishte dërguar mbi 10,000 ushtarë në rajonin rus të Kursk gjatë vitit 2024, si dhe artileri, raketa dhe sisteme raketash me rreze të gjatë.
Rreth 600 ushtarë verikoreas kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë plagosur duke luftuar në krah të Rusisë, sipas raportimeve të Seulit.
Pyongyang dhe Moska janë të lidhura nga një marrëveshje sigurie dhe mbrojtjeje që nga viti 2024.