‘Është një kurth i Putinit’/ Shefja e diplomacisë së BE-së: Të mos dorëzojmë territoret e Ukrainës
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për ta shtyrë Ukrainën të heqë dorë nga territoret e saj si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Në një intervistë për BBC, pas pjesëmarrjes së liderëve evropianë në bisedimet e paqes në Shtëpinë e Bardhë të thirrura nga Donald Trump, Kallas u shpreh se lejimi i Moskës të mbajë territore ukrainase “është kurthi ku Putin kërkon të na fusë”.
Rajoni i Donbasit në lindje të Ukrainës ka qenë për vite me radhë një pikë përplasjeje me Rusinë, duke detyruar mbi 1.5 milionë ukrainas të largohen për shkak të agresionit ushtarak. Kievi ka refuzuar vazhdimisht të pranojë dorëzimin e Donbasit në këmbim të paqes, ndonëse Trump ka theksuar idenë e një “shkëmbimi territoresh”.
Kallas, e cila ndodhet edhe në listën e “të kërkuarve” të Kremlinit, theksoi nevojën për garanci të “besueshme dhe të forta” sigurie për Ukrainën. Megjithatë, ajo pranoi se për momentin mungojnë hapa konkretë për krijimin e një force frenuese.
“Garancia më e fortë e sigurisë është një ushtri e fortë ukrainase,” tha diplomatja e lartë, duke nënvizuar rëndësinë e garancive që “të mos mbeten vetëm në letër”.
Sipas saj, vendet anëtare të “koalicionit të vullnetshmeve” do të përcaktojnë vetë se çfarë mund të kontribuojnë dhe në çfarë forme do të operojnë forcat e tyre.
Javën e kaluar, liderë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Finlanda u bashkuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në bisedimet e zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë, vetëm pak ditë pasi Donald Trump kishte pritur presidentin rus Vladimir Putin në një bazë ushtarake në Alaska.