Studimi: Mungesa e ujit rrit reagimin biologjik ndaj stresit
Njerëzit që nuk pinë mjaftueshëm ujë kanë një përgjigje biologjike më të fortë ndaj situatave stresuese, ka zbuluar një studim i ri shkencor.
Sipas studiuesve, personat që konsumojnë më pak ujë çlirojnë më shumë kortizol – hormonin e stresit – edhe pse nuk ndihen më të etur sesa ata që pinë sasi të mjaftueshme. Ekspertët sugjerojnë se mbajtja e një shisheje uji afër, sidomos në periudha të ngarkuara emocionalisht, mund të ndihmojë shëndetin afatgjatë.
Studimi u zhvillua nga Universiteti Liverpool John Moores (LJMU) dhe përfshiu 32 persona: 16 prej tyre pinin më pak se 1.5 litra ujë në ditë, ndërsa të tjerët përmbushnin rregullisht udhëzimet e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA), që rekomandon 2.5 litra ujë për burrat dhe 2 litra për gratë.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan një testi stresi që simulonte një intervistë pune, i ndjekur nga një detyrë aritmetike mendore. Mostrat e pështymës dhe gjakut treguan se nivelet e kortizolit ishin dukshëm më të larta tek ata që ishin më pak të hidratuar.
“Ne e dimë që njerëzit me konsum të ulët të lëngjeve ndoshta nuk janë të hidratuar sa duhet. Por ajo që zbuluam ishte se në kushte stresi, ata shfaqnin një reagim hormonal shumë më të fortë,” tha profesori Neil Wash nga LJMU.
Kortizoli, i cili ndikon në sistemin imunitar, metabolizëm dhe presionin e gjakut, kur prodhohet në nivele të larta lidhet me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe depresionit.
Studiuesit theksojnë se hidratimi i rregullt është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të mbrojtur organizmin nga pasojat afatgjata të stresit.