I vuri flakën ullinjve pas konfliktit me bashkëfshatarin, arrestohet 43-vjeçari në Selenicë
Një konflikt mes dy bashkëfshatarëve në fshatin Drashovicë, Selenicë, ka përfunduar me zjarrvënie të qëllimshme dhe dëme të konsiderueshme në pronë. Si rezultat, është ndaluar një 43-vjeçar i dyshuar si autor i ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, pas veprimeve të shpejta hetimore, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit E. B., 43 vjeç, banues në Drashovicë, Selenicë.
Sipas hetimeve paraprake, më datë 21 gusht 2025, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, Drashovicë, ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme, pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin F. N.
Si pasojë e flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj dhe janë rrezikuar bagëtitë e imta në pronësi të F. N.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.