Tushemisht/ Jet Ski me 7 persona hyn në ujrat territoriale shqiptare në mënyrë të paligjshme

Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski me 7 persona në bord, të cilët kishin hyrë në ujërat territoriale shqiptare në mënyrë të paligjshme përballë fshatit Tushemisht, në liqenin e Ohrit.

Sipas njoftimit zyrtar, mjeti u kap gjatë patrullimit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike. Pas verifikimeve, rezultoi se Jet Ski kishte kaluar kufirin shtetëror pa leje.

Të gjithë personat në bord u shoqëruan në stacionin e Policisë për procedurat përkatëse. Pas përfundimit të veprimeve, u vendosën masa administrative: 10 000 lekë ndaj një të mituri dhe 50 000 lekë për secilin nga gjashtë të rriturit, në bazë të ligjit “Për mjetet lundruese” dhe ligjit “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.

Mjeti lundrues u sekuestrua, ndërsa shtetasit do të largohen vullnetarisht nga pika kufitare e Tushemishtit.

Njoftimi i policise

Kapet dhe bllokohet një mjet lundrues me 7 persona në bord, të cilët kishin kaluar vijën liqenore në mënyrë të paligjshme. Për secilin prej tyre u morën masa administrative, sipas ligjit.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, konstatuan përballë fshatit Tushemisht një mjet lundrues tip Jet Ski, që po lundronte në ujërat territoriale të Shqipërisë, me 7 persona në bord.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se mjeti kishte kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Ai, së bashku me personat në bord, u shoqërua në Stacionin e Policisë për procedura të mëtejshme.

Në përfundim të verifikimeve, në zbatim të ligjit nr. 127, datë 15.10.2020 “Për mjetet lundruese”, neni 14, pika 1, shkronja “b”, u vendos masë administrative 10 000 lekë ndaj një shtetasi të mitur, ndërsa në bazë të ligjit nr. 39, datë 26.06.2025 “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, neni 35, pika 5, shkronja “d”, u vendosën masa administrative 50 000 lekë për secilin nga 6 shtetasit madhorë.

Mjeti lundrues u bllokua, ndërsa shtetasit do të largohen vullnetarisht nga PKK Tushemisht.