Dy vite më parë pranoi hapur se ishte homoseksual, ‘var këpucët në gozhdë’ në moshën 29-vjeçare
Mesfushori çek Jakub Jankto ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij futbollistike. Lajmi u konfirmua prej vetë lojtarit përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, ku shpjegoi arsyet e këtij vendimi të papritur.
“Kam marrë shumë mesazhe për të ditur nëse do të vazhdoj karrierën time. Fatkeqësisht përgjigjja është jo. Arsyeja është e thjeshtë: pësova një dëmtim shumë të rëndë (ligamenti i kyçit të këmbës është dëmtuar plotësisht). Po përpiqesha ta kaloja këtë periudhë për të qenë gati për sezonin, por nuk ishte e mundur”, shkroi ish-mesfushori i Cagliarit.
Megjithatë, vendimi i Jankto-s nuk lidhet vetëm me aspektin sportiv. Ai shtoi se dëshiron të kalojë më shumë kohë me djalin e tij, David, i cili së shpejti do të mbushë gjashtë vjeç. “Pika kryesore është im bir. Dua të jem më pranë tij, prandaj kam vendosur të transferohem në Pragë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, e vlerësoj shumë”, deklaroi ai.
Jankto ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike, sidomos pas vendimit të tij për të shprehur publikisht homoseksualitetin e tij në shkurt të vitit 2023. Në atë kohë, ish-partnerja e tij, modelja Marketa Ottomanska, i doli hapur në krah, ndërsa një vit më vonë lojtari publikoi një foto të Krishtlindjes ku shihej duke u puthur me partnerin e tij, një imazh që bëri bujë të madhe në rrjetet sociale.
Me këtë vendim, karriera e tij në futboll mbyllet, por për të nis një kapitull i ri, me fokusin kryesor tek familja dhe jeta personale.