SYRI TV/ Arbër Veliaj 5 orë me kolegët e SPAK: Erdha për të bashkëpunuar me drejtësinë
Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është marrë në pyetje për pesë orë nga prokurorët e SPAK. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ai deklaroi para gazetarëve se ishte paraqitur vullnetarisht, në shenjë bashkëpunimi me drejtësinë. Megjithatë, burime nga SPAK bëjnë me dije se ndaj tij ishte lëshuar një fletëthirrje zyrtare për t’u paraqitur në pyetje.
Emri i Arbër Veliajt është përmendur në hetimet për çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, ku ai dyshohet të ketë pasur lidhje të ngushta biznesi me vëllain e tij, Erion Veliaj, dhe me kunatën Ajola Xoxa. Aktualisht, ai mban statusin "person në dijeni", por ndaj tij janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore.
Marrja në pyetje e Arbër Veliajt, e zhvilluar këtë të enjte në ambientet e SPAK, është pjesë e një fraksioni të ndarë të dosjes “Veliaj”, ku po hetohen rrethana dhe fakte të reja penale të dala gjatë hetimeve të mëparshme. Burime konfirmojnë se SPAK ka zbuluar transferta të konsiderueshme financiare, si dhe fatura e pagesa të larta të realizuara nga kompania e Arbër Veliajt, “Gogël”, përfshirë pagesa ndaj shoqërive të lidhura me kunatën e tij, Ajola Xoxa.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje, Arbër Veliaj, ashtu si vëllai i tij i arrestuar më 10 shkurt në zyrën e Bashkisë, theksoi se kishte shkuar për të bashkëpunuar me drejtësinë. Ai iu shmang pyetjeve të gazetarëve në lidhje me pozicionin e tij ligjor dhe për transfertat e përmendura.
Megjithëse pretendoi para mediave se ishte paraqitur vullnetarisht, burime të Syri Televizion bëjnë me dije se ai ishte thirrur zyrtarisht nga SPAK dhe se fletëthirrja ka qenë e detyrueshme. Mungesa e një avokati gjatë marrjes në pyetje tregon se Veliaj është marrë në cilësinë e një personi në dijeni. Megjithatë, ndaj tij janë kryer veprime hetimore të thelluara gjatë muajve të fundit, përfshirë kontrolle në banesë dhe në biznes, si dhe sekuestrimin e telefonit celular.
Si ai, ashtu edhe kunata e tij, Ajola Xoxa, i kanë kundërshtuar këto veprime, duke i cilësuar si të paligjshme. Por ankesat janë rrëzuar në të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor.
Kujtojmë se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë marrë të pandehur nga SPAK, së bashku me gjashtë biznesmenë të tjerë, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.