Izraeli nis operacionin për të pushtuar Gazën! Meloni: Rrezikon të përkeqësojë situatën dramatike

Nga Alba Kepi 

Italia ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e qeverisë izraelite mbi situatën në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor.

Kryeministrja Giorgia Meloni riafirmoi angazhimin e vendit të saj për paqe, siguri dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi i Izraelit për të avancuar me okupimin e Gazës, si përgjigje ndaj sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, konsiderohet një “eskalim i mëtejshëm ushtarak” që rrezikon të përkeqësojë situatën humanitare tashmë dramatike.

Italia thekson se është i domosdoshëm një angazhim ndërkombëtar për arritjen e një armëpushimi, lirimin e pengjeve dhe sigurimin e ndihmës humanitare për popullsinë civile.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e ndërmjetësve dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në një skenar pas-konflikti,” u shpreh kryeministrja Meloni.

Për më tepër, Italia dënon vendimin izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, duke e konsideruar atë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe si një pengesë për zgjidhjen me dy shtete dhe për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Deklarata e Kryeministres Giorgia Meloni

Italia ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e qeverisë izraelite mbi situatën në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, dhe riafirmon me vendosmëri angazhimin e saj për paqe, siguri dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Në veçanti, vendimi për të vazhduar me okupimin e Gazës, si përgjigje ndaj sulmit terrorist çnjerëzor të Hamasit më 7 tetor 2023, përbën një eskalim të mëtejshëm ushtarak që nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të përkeqësojë situatën humanitare tashmë dramatike.

Në vend të kësaj, do të ishte e nevojshme një angazhim i përbashkët për të arritur një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, duke forcuar përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar ndihmën humanitare që popullsia civile e Gazës ka urgjentisht nevojë.

Italia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e ndërmjetësve në këtë drejtim dhe është e gatshme të japë kontributin e saj në një skenar pas-konflikti.

Italia gjithashtu dënon vendimin izraelit për të autorizuar ndërtimin e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor. Ky vendim shkel të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikon të komprometojë përfundimisht zgjidhjen me dy shtete, si dhe perspektivën për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.