Interi zgjedh Diouf për mesfushën, marrëveshja me Lens drejt finalizimit
Interi ka vendosur objektivin e tij për repartin e mesfushës në ditët e fundit të merkatos: Andy Diouf i Lens. Klubi zikaltër është duke negociuar me klubin francez për kartonin e 22-vjeçarit, i vlerësuar rreth 25 milionë euro. Sipas medieve italiane, tratativa është e avancuar dhe marrëveshja mund të mbyllet së shpejti.
Diouf, i lindur në vitin 2003 dhe pjesë e Lens që prej vitit 2023, ka qenë një nga mesfushorët më të spikatur në Ligue 1. Në dy sezone ka regjistruar 68 paraqitje, duke shënuar dy gola dhe dhënë dy asiste. Statistikat e tij tregojnë aftësi të larta në akselerime, ku askush në kampionatet kryesore europiane nuk ka regjistruar më shumë se ai në sezonin e fundit. Profili i tij është ai i një mesfushori modern “box to box” (nga zona në zonë), i aftë të mbulojë të dyja fazat e lojës dhe të shtojë forcë fizike në mesfushën e Interit.
Për talentin francez ka shfaqur interes edhe Napoli, i cili kohët e fundit kishte bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh, por u refuzua nga Lens, që kërkon të paktën 25 milionë. Interi është i gatshëm ta arrijë këtë shifër përmes një formule me bonuse. Në këto orë, drejtori sportiv, Piero Ausilio, është në kontakte të vazhdueshme me agjentët e lojtarit për të mbyllur marrëveshjen, e cila mund ta sjellë Diouf në Milano që të premten.
Pas këtij operacioni, zikaltrit do të synojnë edhe një përforcim në mbrojtje, ndërsa trajneri Chivu pret me padurim që të ketë në dispozicion mesfushorin e ri francez.