Lavrov: Dërgimi i trupave të huaja në Ukrainë, e papranueshme! Europa po saboton përpjekjet për armëpushim

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se prania e forcave të huaja ushtarake në territorin ukrainas është e papranueshme për Moskën. Kjo deklaratë u bë gjatë një konference për shtyp pas takimit me homologun e tij indian, Subrahmanyam Jaishankar.

Sipas Lavrov, diskutimet mes Perëndimit dhe palës ukrainase tregojnë se po shqyrtohen plane për garanci ushtarake që përfshijnë ndërhyrjen e trupave të huaja në zona të caktuara të Ukrainës.

“Duket se të gjitha këto ide lidhen në thelb me një ndërhyrje të mundshme ushtarake të huaj në pjesë të territorit ukrainas,” u shpreh ai.

Shefi i diplomacisë ruse u shpreh se shpreson që ata që promovojnë ose diskutojnë këto plane janë ose duke kërkuar vëmendje, ose janë të vetëdijshëm për rreziqet që sjellin ato.

“Shpresoj që e kuptojnë se kjo do të ishte absolutisht e papranueshme jo vetëm për Federatën Ruse, por edhe për të gjitha forcat politike të arsyeshme në Evropë,” theksoi Lavrov.

Ai akuzoi gjithashtu liderët evropianë për përpjekje për të minuar përparimin që sipas tij u arrit në samitin SHBA-Rusi në Alaskë javën e kaluar, sa i përket një marrëveshjeje të mundshme paqeje në Ukrainë.

Lavrov shtoi se aleatët evropianë të Kievit po përpiqen të zhvendosin fokusin nga zgjidhja e “shkaqeve rrënjësore” të konfliktit, sipas këndvështrimit rus.

Ministri rus deklaroi gjithashtu se Presidenti Vladimir Putin është i gatshëm të takohet me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por disa çështje duhet të zgjidhen para se të ndodhë një takim i tillë.

Një nga çështjet kryesore, sipas Lavrov, është legjitimiteti i Zelensky-t, i cili është vënë në dyshim nga Kremlini për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve në Ukrainë si pasojë e luftës. Lavrov theksoi se kjo çështje duhet të zgjidhet përpara se Moska të nënshkruajë ndonjë dokument me Kievin.