Palestinezët po ikin nga qyteti i Gazës: Izraeli fillon fazën e parë të pushtimit
Palestinezët po braktisin disa lagje të qytetit të Gazës pas nisjes së fazave të para të ofensivës tokësore të ushtrisë izraelite, njoftojnë zyrtarët lokalë.
Trupat izraelite kanë ngritur një fortesë në periferi të qytetit, ku jetojnë mbi një milion banorë, pas ditësh të tëra bombardimesh intensive dhe sulmesh me artileri. Situata alarmante ka shtyrë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të bëjë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, duke paralajmëruar për pasoja katastrofike mbi civilët.
Banorët e Zeytun dhe Sabra kanë nisur të evakuohen drejt pjesës veriperëndimore të qytetit, ndërsa dëshmitarët përshkruajnë netë të tëra pa gjumë nën shpërthime e zjarr artilerie. “Shtëpia po dridhet gjithë natën me ne brenda, zhurma e shpërthimeve dhe avionëve luftarakë po na shkatërron”, tha për AFP Ahmad el-Shanti, një prej banorëve të Gazës.
Ndërkohë, ushtria izraelite konfirmoi se trupat tashmë po veprojnë në zonat Zeytun dhe Jabaliya për të përgatitur terrenin e ofensivës, e miratuar nga ministri i Mbrojtjes Israel Katz. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se po përshpejton operacionet për të “marrë fortesat e fundit të terrorizmit”.
Nga ana tjetër, Hamasi e akuzoi Izraelin për një “luftë brutale kundër civilëve të pafajshëm”, duke kritikuar refuzimin e Netanyahut për të marrë në konsideratë një propozim të ri për armëpushim nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.
Autoritetet izraelite kanë paralajmëruar mobilizimin e 60 mijë rezervistëve në fillim të shtatorit, ndërsa qindra mijëra palestinezë në qytetin e Gazës pritet të marrin urdhra për evakuim drejt jugut të territorit.