Putin: Rusia ka një mburojë bërthamore të besueshme

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se Rusia zotëron një mburojë bërthamore të besueshme, duke e cilësuar industrinë bërthamore si një nga arritjet më të mëdha strategjike të vendit. Ai i adresoi fjalët e tij gjatë urimit për punëtorët dhe veteranët e kësaj industrie me rastin e 80-vjetorit të themelimit të saj.

“Ne jemi me të drejtë krenarë për emrat e themeluesve të shquar të projektit bërthamor dhe për shumë breza shkencëtarësh, inxhinierësh e ekspertësh të talentuar. Falë punës së tyre, janë ngritur qindra kompani e institute kërkimore, është krijuar një kompleks i veçantë shkencor-industrial dhe është formuar një mburojë bërthamore e sigurt për atdheun”, u shpreh Putin, duke cituar agjencia ruse Tass.

Kreu i Kremlinit theksoi gjithashtu se pret që shkencëtarët rusë të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e kërkimit shkencor, si në fushën themelore ashtu edhe në atë të aplikuar.

Putin e përshkroi vitin 1945, kur u krijua industria bërthamore në Rusi, si një moment historik epokal për vendin. Ai e cilësoi atë si një triumf të progresit shkencor dhe teknologjik, i cili sipas tij përcaktoi zhvillimin e ekonomisë, energjisë, shëndetësisë dhe industrisë ushtarake, duke ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë kombëtare dhe arritjen e barazisë strategjike.