Aleatët rusë, Bjellorusia dhe Irani, bien dakord të forcojnë mbrojtjen si pjesë e një sërë marrëveshjesh
Presidenti bjellorus, Aliaksandr Lukashenko, dhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, nënshkruan të mërkurën në Minsk një paketë prej 13 dokumentesh për forcimin e lidhjeve dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje, industri, turizëm, shkencë, teknologji dhe arsim.
Të dy vendet, të vendosura nën sanksione të rënda ndërkombëtare, thanë se marrëveshjet synojnë të hapin rrugën drejt një traktati për partneritet strategjik.
Pezeshkian deklaroi se Irani do të ndihmojë Bjellorusinë të “neutralizojë” efektet e kufizimeve ekonomike perëndimore, duke u bazuar në përvojën shumëvjeçare të Teheranit në anashkalimin e sanksioneve. Nga ana tjetër, Lukashenko e quajti presidentin iranian “mik” dhe tha se Minsku ishte i gatshëm të bashkëpunonte “nga sigurimi i ushqimit deri te bashkëpunimi ushtarako-teknik”.
Detajet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes nuk u bënë publike, megjithatë vizita e Pezeshkian në Minsk konsiderohet një sinjal i afrimit të mëtejshëm të dy prej aleatëve më të ngushtë të Moskës. Kujtojmë se Lukashenko i lejoi Rusisë përdorimin e territorit bjellorus për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 dhe më vonë pranoi vendosjen e raketave bërthamore taktike ruse, ndërsa Irani ka furnizuar Kremlinin me dronë Shahed për përdorim në luftë.
Vizita e presidentit iranian ishte shtyrë disa herë për shkak të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Lukashenko i cilësoi këto sulme si “kërcënim serioz për stabilitetin dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare” dhe ritheksoi mbështetjen e tij për të drejtën e Teheranit për zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore.