Garanci sigurie: Këto janë vendet evropiane të gatshme të dërgojnë trupa në Ukrainë
Evropa po punon ngushtë me SHBA-në për të ndërtuar një paketë garancish sigurie për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë. Një nga idetë kryesore në tryezë është vendosja e një force ndërkombëtare parandaluese, me prani ushtarake në zona jo të nxehta të vendit.
Rreth 30 shtete janë përfshirë në bisedimet e nisura që në shkurt si pjesë e “Koalicionit të të Gatshmëve”, ndërsa vendet evropiane synojnë të përmbyllin detajet përpara një takimi të mundshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut rus Vladimir Putin, që pritet të mbahet në javët e ardhshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se disa shtete janë të gatshme të angazhohen me logjistikë, trajnim dhe prani ushtarake përkrah Ukrainës, ndërsa theksoi se kjo nuk do të ndodhë në vijën e frontit. Edhe Britania e Madhe ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa, me Sekretarin britanik të Mbrojtjes John Healey që tha se misioni mund të përfshijë sigurimin e mbrojtjes ajrore dhe detare si dhe stërvitjen e ushtrisë ukrainase. Belgjika, Lituania dhe Estonia kanë dhënë sinjale të ngjashme mbështetjeje.
Megjithatë, disa shtete mbeten të pavendosur. Letonia dhe Suedia kërkojnë më shumë qartësi mbi natyrën e misionit, ndërsa vendimi i tyre do të kushtëzohet nga garancitë e tjera të sigurisë që do të ofrohen.
Në krahun tjetër, Gjermania, Polonia, Hungaria dhe Italia kanë përjashtuar kategorikisht dërgimin e trupave, duke preferuar që të kontribuojnë vetëm me mbështetje logjistike ose ushtarake në mënyra të tjera. Holanda dhe Spanja gjithashtu janë shprehur se do të marrin pjesë në garancitë e sigurisë, por pa trupa në terren.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sqaruar ndërkohë se SHBA nuk do të ketë prani ushtarake në Ukrainë, megjithëse mbetet një lojtar kyç në ofrimin e garancive politike dhe ushtarake.