FOTO/ Ky është Altin Lekgegaj, autori i plagosjes së rëndë në Durrës

Del fotoja e autorit të dyshuar të plagosjes së rëndë të ndodhur në Durrës.

Altin Lekgegaj, 44 vjeç ka qëlluar 2 herë me pistoletë ndaj 28-vjeçari Liridon Rada, i cili mësohet se ka marrë plagë rënda në shpatull dhe brinjë.

Fillimisht Lekgegaj dhe Rada janë konfliktuar verbalisht për parkimin dhe më pas sherri ka degrauar në përdorimin e armës. Autori i dyshuar i ngjarjes raportohet se është larguar me një automjet ‘Toyota Yaris’ pasi ka qëlluar me armë 29-vjeçarin i cili raportohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Policia njofton se ka vendosur disa postblloqe në lagjet e qytetit si dhe në autostradën Durrës – Tiranë për kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:40, në Hamallaj, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. L., 44 vjeç, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin L. R., 28 vjeç, i cili ndodhet në spital, në gjendje kritike për jetën.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, kanë identifikuar autorin dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku dyshohet se mund të jetë fshehur 44-vjeçari.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.