Sapo kishte firmosur me klubin e ri, humb jetën para syve të nënës së tij futbollisti italian
Bota e futbollit italian është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Luca Alusi-t, 30-vjeçar që sapo kishte nënshkruar me skuadrën e ligës amatore ASD Castell’Azzara. Futbollisti u shua papritur, vetëm pak orë përpara se të zhvillonte seancën e tij të parë stërvitore me klubin e ri.
Sipas medieve italiane, Alusi ndodhej në banesën e tij kur papritur u ndje keq dhe humbi ndjenjat. Në ato momente ishte e pranishme e ëma, e cila njoftoi menjëherë ambulancën, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, jeta e futbollistit nuk mundi të shpëtohej.
Reagimi i klubit
Lajmi u konfirmua edhe nga ASD Castell’Azzara, përmes një deklarate zyrtare:
“Jemi thellësisht të tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të Luca Alusit. Ai ishte gati të vishte fanellën tonë dhe të niste këtë aventurë të re sportive me shumë entuziazëm. Klubi i bashkohet me dhimbje të sinqertë familjes për këtë humbje të parakohshme. Çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo gol: Luca do të jetë gjithmonë me ne. Lamtumirë, Luca.”
Mesazhet kanë ardhur nga shumë persona që e njihnin. Massimo Natali, president i klubit Marta, ku Alusi kishte luajtur më herët, u shpreh:
“Është një lajm tronditës. Ai luajti me ne që fëmijë, duke treguar gjithmonë pasion dhe përkushtim. Ishte një djalë i sjellshëm, i ndjeshëm dhe i angazhuar në nisma lokale. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë me ne.”
Ngushëllime të ndjera ka dhënë edhe kryetari i bashkisë, i cili i është drejtuar babait të futbollistit, Marco, një polic i njohur i zonës:
“Nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e një prindi. I ofrojmë një përqafim të heshtur Marco-s dhe familjes për këtë humbje të parikuperueshme.”
Një humbje e madhe për komunitetin
Luca Alusi do të mbahet mend si një futbollist i përkushtuar dhe një njeri i dashur për të gjithë ata që e njohën. Lajmi i papritur i vdekjes së tij ka lënë një boshllëk të madh si në fushën e futbollit, ashtu edhe në komunitetin ku ai jetoi dhe dha kontributin e tij.