Kreu i opozitës Serbe: Një qeveri teknike me figura jopartiake është një nga zgjidhjet që do të çonte në zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Đilas, deklaroi sonte se një qeveri teknike me mandat maksimal prej 100 ditësh dhe figura jopartiake është një nga mënyrat për të çuar vendin drejt “zgjedhjeve të shpejta, relativisht të drejta dhe të ndershme”.

Në një intervistë për televizionin Nova, Đilas pyeti në mënyrë retorike nëse dikush mendon se është më e mirë që Ivica Daçiç të mbajë postin e Ministrit të Policisë gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve, në vend të një figure jopartiake që do të vepronte ndaj informacionit për blerjen e votave dhe do të sigurohej që autorët të ndaloheshin.

Ai shtoi se një model i tillë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është zbatuar më parë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Đilas gjithashtu kritikoi dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve, duke deklaruar se “njerëzit po rrihen, po shqelmohen ndërsa janë të shtrirë përtokë, po arrestohen, vajzat po kërcënohen me përdhunim nga komandantët e policisë”. Ai theksoi se është e qartë për të gjithë se kush po kryen dhunë dhe kush po lufton për liri dhe drejtësi në vend.