Eksperti: Prokuroria është më e përçarë se shoqëria në Serbi, policia drejtohet personalisht nga Vuçiç, gjendja po kthehet në anomi
Profesori i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd, Bojan Spaić, ngriti alarmin mbi përshkallëzimin e dhunës policore ndaj protestave në Serbi, duke e cilësuar situatën si një gjendje anomike ku policia kontrollohet drejtpërdrejt nga presidenti Aleksandar Vuçiç, ndërsa prokuroria vepron sipas urdhrave të pushtetit.
Ai theksoi se reagimet e dhunshme të policisë nuk po pakësohen dhe se çdo ditë shfaqen pamje me studentë dhe qytetarë të rrahur rëndë, përfshirë të mitur.
Spaić paralajmëroi se kjo gjendje mund të përkeqësohet për shkak të kundër-tubimeve të paralajmëruara, duke shtuar se policia ka marrë një “dritë jeshile” për të vepruar në mënyrë disproporcionale, duke tejkaluar autoritetin ligjor. Ai vuri në dukje se “sa herë që fshihet dallimi midis policisë dhe banditëve, shtetit dhe bandës kriminale, reagimi në rrugë bëhet gjithnjë e më intensiv”.
Sipas tij, televizioni kombëtar po krijon një realitet paralel duke portretizuar studentët, qytetarët dhe profesorët si “terroristë”, por kjo propagandë nuk po bind më as mbështetësit e qeverisë. Duke komentuar masat e paralajmëruara nga Vuçiç kundër bllokadave, Spaić tha se ato nuk kanë asnjë bazë reale ligjore dhe janë vetëm përpjekje për të mbështjellë shkeljet aktuale të ligjit me një fasadë formale.
Ai kritikoi ashpër edhe gjyqësorin, duke thënë se ai është i polarizuar dhe i paaftë për të funksionuar si një pushtet i pavarur. “Çështja që paraqitet në gjykatë është si të hedhësh zare, nuk dihet nëse bie në duar të gjyqtarëve që zbatojnë ligjin apo atyre që shërbejnë interesat partiake”, tha Spaić.
Profesori shtoi se përdorimi i shtetit për të mbrojtur pushtetin personal, bashkë me përzierjen e policisë dhe bandave, po çon vendin drejt një pike kritike. Ai kërkoi më shumë transparencë nga gjyqësori dhe reagim institucional, duke theksuar se mungesa e drejtësisë ka sjellë protesta masive dhe rrezikun e përplasjeve civile.