Roma zyrtarizon Leon Bailey-n, por dëmtohet që në stërvitjen e parë dhe humb debutimin ndaj Bologna-s

Leon Bailey është zyrtarisht lojtari i ri i Romës. Klubi verdhekuq e konfirmoi transferimin përmes një njoftimi në faqen zyrtare: “AS Roma është e lumtur të njoftojë blerjen e Leon Bailey nga Aston Villa. Operacioni realizohet me huazim me të drejtë blerjeje. Bailey, i lindur në 1997, është lojtari i parë xhamajkan në historinë e Romës. I lindur në Kingston dhe i transferuar në Europë në moshën 13-vjeçare, ka luajtur më parë për Genk, Bayer Leverkusen dhe Aston Villa. Si sulmues i krahut, ka 377 paraqitje në gara kombëtare dhe ndërkombëtare dhe 76 gola të shënuar. Ka zgjedhur fanellën nr. 31. Mirë se vjen në Romë, Leon!”

I mbërritur dje në kryeqytetin italian, Bailey ishte një nga përforcimet e kërkuara nga Gasperini dhe transferimi i tij ka kushtuar rreth 24 milionë euro, duke përfshirë huazimin 2 milionë me të drejtë blerjeje 22 milionë euro. Megjithatë, Roma nuk ndalet këtu, pasi marrëveshjet për Sancho-n dhe Roëe janë ende në zhvillim.

Por nisja e parë nuk ishte ideale

Leon Bailey përjetoi një fillim të vështirë në Romë. Në stërvitjen e tij të parë si pjesë e verdhekuqve, ai ndaloi për shkak të një problemi muskulor. Shkalla e dëmtimit do të vlerësohet gjatë orëve në vijim, gjë që e bën të vështirë debutimin e tij këtë të shtunë kundër Bologna-s, në ‘Olimpico’.