Ndeshja me Izraelin/ Norvegjia do t’i dhurojë të ardhurat për Gazën, vjen shpejt kundërpërgjigjja thumbuese

Norvegjia do t’ia kalojë të gjitha të ardhurat nga ndeshja kundër Izraelit një shoqate humanitare që vepron në Rripin e Gazës. Federata ka marrë një qëndrim të fortë mbi një temë të ndjeshme që prek edhe Italinë, e cila është në të njëjtin grup kualifikues për Botërorin dhe është vënë në shënjestër për ndeshjen kundër kombëtares izraelite që do të luhet në Udine. Për shumëkënd vendimi më i mirë do të ishte ai i bojkotimit dhe ka kërkesa zyrtare për të mos e zhvilluar ndeshjen. Norvegjezët do të zbresin në fushë më 11 tetor, në orën 18:00, dhe tashmë kanë njoftuar se nuk duan të qëndrojnë indiferentë përpara kësaj situate.

Në shënimin zyrtar, ku komunikoi mënyrat e shitjes së biletave, federata shtoi se do t’i caktojë të ardhurat një organizate humanitare aktive në Gaza, emri i së cilës do të bëhet i ditur së shpejti. Një zgjedhje që ka shkaktuar reagime të kundërta: nga njëra anë ka irrituar Izraelin, nga ana tjetër ka hapur një debat edhe në Itali ku ndeshja kundër izraelitëve është tashmë në qendër të diskutimeve të ndezura jo vetëm në debatin sportiv.

Norvegjia do t’i kalojë fitimet një shoqate që vepron në Gaza

Presidentja e federatës norvegjeze, ish-futbollistja Lise Klaveness, është shfaqur personalisht mbi këtë çështje duke shpjeguar nismën: “As ne dhe as organizata të tjera nuk mund të qëndrojmë indiferente ndaj vuajtjeve humanitare dhe sulmeve disproporcionale ndaj të cilave popullsia civile e Gazës është e ekspozuar prej kohësh. Izraeli bën pjesë në kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s dhe ne duhet të përballemi me këtë situatë. Por duam t’ia kalojmë fitimet një organizate humanitare që shpëton jetë njerëzish në Gaza çdo ditë dhe që kontribuon në mënyrë aktive me ndihma emergjence në terren”. Pra, të gjitha të ardhurat nga ndeshja mes Norvegjisë dhe Izraelit do t’i jepen për bamirësi një shoqate humanitare që vepron në territorin palestinez për të dhënë një ndihmë konkrete për popullsinë.

Është hera e parë që ndodh një situatë e tillë me rastin e një ndeshjeje mes dy kombëtaresh, madje një ndeshje zyrtare e vlefshme për kualifikimet e Botërorit të ardhshëm. Një gjest që mund të ketë një jehonë shumë të rëndësishme edhe në Itali ku prej javësh po flitet për ndeshjen kundër Izraelit më 14 tetor, në ‘Stadio Friuli’ (ndeshja e parë do të luhet më 8 shtator në terren neutral në Hungari): futbollit i kërkohet të japë një sinjal të fortë dhe të qartë dhe lëvizja e Norvegjisë mund të shpërthejë si një reagim zinxhir midis të gjitha federatave evropiane.

Përgjigjja e Izraelit dhe thumbimi politik

Norvegjia me këtë zgjedhje nuk u ka pëlqyer kundërshtarëve, të cilët, në faqet e ‘Telegraph’, janë kundërpërgjigjur ashpër: “Do të ishte mirë nëse një pjesë e shumës do të përdorej për të marrë një dënim nga Federata Norvegjeze e Futbollit për masakrën e 7 tetorit, që i kushtoi jetën qindra qytetarëve dhe fëmijëve izraelitë, ose një veprim në favor të lirimit të 50 pengjeve. Dhe ju lutemi, sigurohuni që paratë të mos transferohen te organizata terroriste ose te gjuetia e balenave”. Një koment që jo vetëm kritikon nismën, por e dënon hapur, duke hedhur dyshimin se fondet mund të përfundojnë te realitete të konsideruara “terroriste”. Referimi te gjuetia e balenave, një praktikë e kontestuar në nivel ndërkombëtar dhe që përfshin Norvegjinë, shtohet si thumbim politik ndaj një gjesti që për Izraelin është i papranueshëm dhe plot me dykuptimësi.