U bë çështje për gjininë në sport, Imane Khelif i jep fund karrierës në boks
Imane Khelif, kampionia olimpike algeriane që shkëlqeu në Lojërat e Parisit 2024 duke fituar medaljen e artë, ka vendosur të mbyllë kapitullin e saj në boks. Lajmi u konfirmua nga menaxheri i saj, Nasser Yefsah, duke i dhënë fund çdo hamendjeje për të ardhmen sportive të 25-vjeçares që u bë simbol i një rasti të bujshëm mbi çështjet e gjinisë në sport.
“Imane nuk ka lënë vetëm Nicën, por edhe botën e boksit. Aktualisht ka ndërprerë gjithçka, madje as stërvitje serioze nuk po bën. Pas asaj që ndodhi në Olimpiadë, ajo ka vendosur të ndalet. Nëse një ditë do të bëhej profesioniste, do t’i nënshtrohej të njëjtave teste”, – shpjegoi Yefsah për Nice Matin.
Megjithatë, edhe pse nuk garon më, Khelif vazhdon të mbajë kontakt me sportin. Herë pas here zhvillon seanca stërvitore në Algjeri ose në Katar, në qendrën kombëtare të performancës, por jo me synimin për t’u rikthyer në ring. Aktualisht, pjesa më e madhe e kohës së saj i dedikohet udhëtimeve për kontrata sponsorizimi dhe angazhimeve jashtë sportit.
Khelif, e cila u bë një figurë botërore jo vetëm për suksesin në ring, por edhe për debatin e ndezur mbi rregulloret e IOC dhe trajtimin e sportistëve në raste të ngjashme, ka zgjedhur ta mbyllë karrierën në kulmin e famës. Një vendim që trondit botën e boksit, por që njëkohësisht hap një kapitull të ri për të jashtë ringut.