Pse Boniface është një investim i rrezikshëm (bast) për Milanin
Milan është në kërkim të një sulmuesi pas lëndimit të Rafa Leao-s dhe largimit të Noah Okafor, por emri më i fundit që ka dalë në skenë, Victor Boniface, ngre shumë pikëpyetje. Sulmuesi nigerian i Bayer Leverkusen-it ka pasur një karrierë të mbushur me lëndime, duke u shndërruar në një opsion të rrezikshëm për Massimiliano Allegrin.
Statistikat flasin qartë: vetëm 12 ndeshje dhe 3 gola në vitin 2025 me Leverkusen-in. Në pesë miqësoret e verës ka luajtur gjithsej 85 minuta, ndërsa në Kupën e Gjermanisë nuk është aktivizuar fare. Për herë të fundit, në Bundesligë, ai ka zbritur në fushë më 20 prill kundër St. Paulit.
Megjithatë, cilësitë e tij nuk vihen në dyshim. Në sezonin 2023-24, Boniface shkëlqeu me 21 gola në 34 ndeshje, duke treguar se në formë është një sulmues i nivelit të lartë. Madje, në janar ishte shumë pranë transferimit tek Al Nassr për 70 milionë euro, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit.
Problemi kryesor mbetet gjendja fizike. Boniface (1.90 m) ka një histori të gjatë dëmtimesh: dy herë këputje të ligamenteve kryqëzore në periudhën te Bodo Glimt, një ndalesë tremujore për shkak të aduktorëve në janar 2024 dhe më pas një dëmtim në kofshë, në nëntor të po atij viti, që e mbajti jashtë për 12 ndeshje, duke i ulur dukshëm formën.
Për Milanin, afrimi i tij do të ishte një bast i madh. Nëse fati i qëndron në krah, Boniface mund të bëhet një armë e fuqishme për repartin ofensiv. Por, nëse lëndimet vazhdojnë ta ndjekin, rreziku është që kuqezinjtë të mbeten sërish pa një qendërsulmues të besueshëm.