Izraeli, ok projektit për vendbanimin që ndan në dysh Bregun Perëndimor, BE: Hiq dorë! Witkoff: Lironi pengjet
BE është kundër vendimit të autoriteteve izraelite për të vazhduar me planin e vendbanimit E1.
"Projekti cenon më tej zgjidhjen me dy shtete dhe përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare' deklaroi sot Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së.
BE i bën thirrje Izraelit të heqë dorë nga ky vendim, duke theksuar pasojat e thella që ai sjell dhe nevojën për të shqyrtuar masa që synojnë ruajtjen e mundësisë për një zgjidhje me dy shtete.
Thellohet ndarja
Edhe autoriteti Palestinez dënoi ashpër vendimin e Izraelit për ndërtimin e një vendbanimi në Bregun e pushtuar Perëndimor, që në praktikë do të ndante territorin palestinez në dysh.
“Vendimi izraelit e shndërron Bregun Perëndimor në një burg të vërtetë’ thotë Autoriteti Palestinez në një komumikatë pasi Izraeli miratoi projektin për ndërtimin e 3.400 banesave të reja.
Ministria e Jashtme palestineze shprehu kundërshtim të fortë ndaj vendimit , duke theksuar se ajo "e thellon edhe më shumë ndarjen e Bregut Perëndimor të pushtuar në zona dhe kantone të izoluara, të shkëputura gjeografikisht dhe që ngjasojnë me burgje të vërteta, ku lëvizjet janë të mundura vetëm përmes pikave të kontrollit të sunduesit, nën terrorin e milicive të kolonëve të armatosur të shpërndarë në të gjithë Bregun Perëndimor"
Qeveria palestineze paralajmëroi gjithashtu se vendimi izraelit rrezikon të minojë përfundimisht perspektivën e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit.
“E dënojmë me termat më të ashpër vendimin e Izraelit për të zbatuar këtë projekt”, thuhet në deklaratë, duke nënvizuar se kjo zgjedhje “kompromenton perspektivat për realizimin e zgjidhjes me dy shtete (…) duke fragmentuar unitetin gjeografik dhe demografik të shtetit palestinez”
Projekti izraelit kundërshtohet edhe nga grupet për të drejtat e njeriut pasi shua shpresat për një shtet palestinez në të ardhmen.
Lexoni dhe: Izraeli thërret 60 mijë rezervistë përpara ofensivës së planifikuar në qytetin e Gazës.
Witkoff: Lironi Pengjet
Ndërkohë i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News, theksoi sot se presidenti Donald Trump dëshiron që ‘të gjithë pengjet të lirohen’ dhe lufta të përfundojë ‘menjëherë’
«Trump ka qenë shumë i vendosur dhe i drejtpërdrejtë në platformën Truth», tha Witkoff, duke iu referuar një postimi të disa ditëve më parë, ku presidenti amerikan kishte shkruar se pengjet do të lirohen ‘kur Hamasi të shkatërrohet’.
«Ai dëshiron që të gjithë pengjet të lirohen. Kjo është pozicioni ynë», u shpreh Ëitkoff sot, duke shtuar: ‘Ky konflikt duhet të marrë fund menjëherë, 20 pengje duhet të kthehen tek familjet e tyre, një numër i barabartë i të burgosurve palestinezë duhet të lirohet, dhe ta përfundojmë këtë gjë: t’i sjellim paqe popullit të Gazës dhe të rindërtojmë Gazën ashtu siç duhet, siç e ka përcaktuar presidenti’
Vendbanimi për kolonët në E1
Zhvillimi i vendbanimit për kolonët në E1, që është një hapësirë e hapur toke në lindje të Jerusalemit, ka qenë në shqyrtim për më shumë se dy dekada, por projekti u ngri për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara gjatë administratave paraprake. Komuniteti ndërkombëtar gjerësisht konsideron se ndërtimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor është i paligjshëm dhe paraqet pengesë për paqe.
Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich – ish-udhëheqës i kolonëve – tha se miratimi i planit është kundërpërgjigje ndaj shteteve perëndimore që kanë njoftuar javëve të fundit se planifikojnë të njohin një shtet palestinez.
“Shteti palestinez po fshihet nga tryeza jo me slogane, por me veprime”, tha ai. “Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo njësi banimi është një gozhdë në arkivol të kësaj ideje të rrezikshme”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar idenë e krijimit të një shteti palestinez dhe është zotuar se do të mbajë nën kontroll pa një afat të caktuar Bregun e pushtuar Perëndimor, Jerusalemin e aneksuar Lindor dhe Rripin e Gazës – ku po zhvillon luftë – territore që Izraeli mori nën kontroll gjatë luftës së vitit 1967, vende ku palestinezët duan që në to të krijojnë shtetin e tyre në të ardhmen.
Më shumë se 700.000 kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Vendndodhja e E1-shit është e rëndësishme sepse është një prej lidhjeve të fundit gjeografike mes qyteteve të mëdha të Bregut Perëndimor, Ramallahut në veri dhe Betlehemit në jug.
Distanca mes këtyre dy qyteteve është 22 kilometra, por palestinezët që udhëtojnë mes tyre, duhet të bëjnë shumë devijime të rrugës dhe të kalojnë përmes disa pikave izraelite të kontrollit, duke bërë që udhëtimi të zgjasë disa orë.