I pamposhtur në kafaz, Chimaev në mbrojtje të titullit përballë sfidantit holandez
Tani që Khamzat Chimaev është kampioni i ri i botës në peshën e mesme në artet marciale mikse (MMA), ka shumë rivalë që janë të etur për të hyrë në kafaz dhe për ta sfiduar kampionin e pamposhtur rus (13 fitore e asnjë humbje).
Ende nuk ka një datë zyrtare për mbrojtjen e parë të titullit nga Chimaev, por UFC ka paralajmëruar një rikthim të shpejtë të mundshëm të rusit.
Madje që këtë vit, më 25 tetor, në eventin UFC-321, që do të zhvillohet në Abu Dhabi.
Edhe pse duket si një rikthim shumë i shpejtë në kafaz, vetëm 3 muaj nga dueli i 3 ditëve më parë, për Chimaev gjërat duken mirë për sa i përket aspektit fizik.
Dhe kandidati më i mundshëm për ta sfiduar në mbrojtjen e parë të tillit është Reinier de Ridder.
“RDR“, shkroi Khamzat me emojin e kafkës dhe kockave në rrjetet sociale, që lë të kuptosh se De Ridder mund të jetë rivali i ardhshëm në kafaz.
Holandezi është i pesti në renditjen botërore të peshës së mesme (21 fitore e 2 humbje në karrierë).
“Dërgo vendndodhjen”, u përgjigj holandezi nën thirrjen e Chimaev.
Në një ripostim, Reinier de Ridder shkroi: “Urime për titullin Khamzat. Por unë do të të tregoj se si duket dominimi i vërtetë i luftimit. Nënshkruaj kontratën”.