Tre italianë të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge arrestohen në Ibiza, lidhje të forta me organizatën shqiptare

Nga Alba Kepi/

Më 15 gusht 2025, në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar, Karabinierët e ROS së bashku me Policinë Kombëtare Spanjolle arrestuan në Ibiza tre shtetas italianë të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ata ishin nën urdhër-arresti evropian, i lëshuar nga Gjykata e Romës me kërkesë të Prokurorisë Antimafia (DDA), për akuza të rënda: asociacion kriminal me qëllim trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, i rënduar nga metoda mafioze.

Arrestimet janë pjesë e operacionit “ANEMONE”, i drejtuar nga ROS, në të cilin më 8 korrik u vunë në pranga 24 persona mes Italisë dhe Shqipërisë.

Sipas hetimeve, të arrestuarit konsiderohen figura kyçe të një organizate të lidhur me ’Ndrangheta-n kalabreze, me bazë në Romë dhe me aktivitet në disa shtete europiane. Grupi udhëhiqej nga një 57-vjeçar kalabrez, i arrestuar më 8 korrik, i njohur si drejtues i një klani të fuqishëm të Volpianos (TO), i lidhur drejtpërdrejt me degën mafioze të Platì (RC).

Hetuesit italianë theksojnë se ky drejtues, i transferuar në Romë në fillim të viteve 2000, kishte marrë nën kontroll zonën e San Basilio-s, ku ngriti një strukturë kriminale që përfshinte edhe tre djemtë e tij. Organizata kishte marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi me një grup kriminal shqiptar, i cili merrej me aspektet logjistike të trafikut: nxjerrjen e ngarkesave të kokainës nga portet spanjolle e holandeze, transportin drejt Italisë dhe shpërndarjen në tregjet lokale të Romës.

Sasia e drogës vinte nga Amerika e Jugut dhe futej në Europë nëpërmjet konteinerëve që mbërrinin në portet e Spanjës, Holandës dhe Gioia Tauro (RC), shpesh falë ndërmjetësisë së brokerëve kalabrezë. Droga shpërndahej më pas në rrjetet e shitjes me pakicë në kryeqytetin italian.

Në dosje përfshihet edhe një episod i rëndë dhune: një torturë ndaj një shpërndarësi të vogël droge, i cili nuk kishte shlyer një borxh me organizatën.

Një prej të arrestuarve në Ibiza, i ndaluar ndërsa tentonte të arratisej, ishte gjithashtu i kërkuar për akuza shtesë nga drejtësia italiane: trafik narkotikësh, plagosje personale dhe rezistencë ndaj policisë.