'Marrëveshja e paqes mbetet e largët'/ Arifi: Ja cili mund të jetë skenari final për Ukrainën, a ka rrezik për ballkanin?
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i ftuar në SYRI TV me Armela Ferkon, foli për takimin e mbrëmshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Donald Trump dhe liderëve evropianë.
Ai u shpreh se një marrëveshje paqësore në këtë fazë nuk u konvenon as amerikanëve dhe as Ukrainës, sepse nëse do të arrihej, askush nuk e di saktësisht se çfarë do të përfshihej në të dhe se ku do të përfundonte Ukraina.
Sipas Arifit, në rast se do të lëshohej pe dhe do të cungohej territori ukrainas, Ukraina mund të fitonte garancionin e sigurisë, por kjo nuk është e sigurt, pasi edhe më herët SHBA nuk ka qenë aq e qartë në këtë pikë. Ai theksoi se situata është shumë e ndërlikuar dhe se duket qartë që SHBA po ndjek një plan B më shumë sesa planin A.
“Për të shmangur armëpushimin, edhe paqja do të jetë e vështirë të arrihet. Plani B është që SHBA-ja e tentoi ta bëjë të pamundurën, ndërsa i mbetet evropianëve dhe Ukrainës ta zgjidhin këtë çështje”, deklaroi Arifi.
Duke komentuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve, ai tha se kjo është një çështje shumë e gjerë, por që nuk mund të quhet shkëmbim, pasi Ukraina nuk ka se çfarë t’i japë Rusisë, përveç territorit të pushtuar. “Nuk po flasim për shkëmbim territoresh mes Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm për dhënie territoresh apo pushtim të territorit”, nënvizoi eksperti.
Arifi shtoi se nëse do të arrihej një marrëveshje përfundimtare, ajo do të ishte një “Minsk 3”, por me autonomi të zgjeruar për të gjitha territoret e pushtuara. Sipas tij, kjo do të ishte ndoshta fitorja më e madhe e Perëndimit në kushtet aktuale.
Lidhur me ndikimin e kësaj situate në Ballkan, eksperti u shpreh se nuk pritet që ajo të reflektohet në rajon, pasi Serbia dhe Kosova nuk janë në pozita të krahasueshme me Rusinë dhe Ukrainën. Ai theksoi se Ballkani është zonë e sigurisë së NATO-s dhe nuk përbën problematike të madhe.
Megjithatë, sipas Arifit, kjo situatë mund të shërbejë si nxitje për përshpejtimin e procesit të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor, por jo për krijimin e skenarëve të shkëmbimit të territoreve, siç diskutohet për Ukrainën.
Arifi:
Më marrëveshje paqësore nuk u konvenon amerikanëve dhe Ukrainës sipërfaqësisht sepse në një marrëveshje paqësore ne nuk e dimë saktësisht sa përfshihet, pra ku po shkon Ukraina.
Nëse lëshohet pe në këtë rast, pra cungohet territori ukrainas, prapë mund ta marrë Ukraina garancionin e sigurisë por mos harrojmë, për garancionin e sigurisë SHBA nuk ishte dhe aq e sigurt.
Do të jetë një kontekst shumë i veçantë, duhet parë edhe fillimi i negociatave por nga ajo sipërfaqe siç po duket SHBA e ka planin B më shumë sesa planin A.
Për të ikur nga armëpushimi, edhe paqja do të jetë e vështirë të arrihet. Plani B është që SHBA-ja e tentoi ta bëjë të pamundurën, i mbetet evropianëve dhe Ukrainës ta zgjidhin këtë çështje.
Shkëmbimi i territoreve është një definicion shumë i gjerë, sepse Ukraina nuk e di çfarë ka pushtuar kaq shumë, që t’ia japë Rusisë kështu që nuk ka shkëmbim territoresh, ka vetëm dhënie territoresh apo pushtim të territorit, por nuk po flasim për shkëmbim territoresh mes Rusisë edhe Ukrainës.
Marrëveshja më e mirë për ta plotësuar këtë që thamë, do të vijë në një fund, do të jetë marrëveshje MINSK 3, por me super super autonomi për të gjitha territoret e pushtuara, pra kjo do të ishte ndoshta fitorja më e madhe e Perëndimit në rrethana të cilat janë krijuar.
Sa i përket ndikimit në Ballkan, vështirë të aplikohet në Ballkan, sepse Serbia nuk është në ato pozicione siç është Rusia dhe Kosova nuk është Ukrainë, pra janë dy territore shumë më të vogla që nuk kanë më peshë, nuk janë territore që mund ta destabilizojnë le të themi një rajon më të madh, pikërisht se ne po harrojmë që Ballkani është zonë e sigurisë së NATO-s, kështu që nuk ka ndonjë problematikë të madhe.
Ajo që mund të jetë efekt është që vetëm mund ta përshpejtojë demokratizimin e Ballkanit Perëndimor sa që mund të kemi shkëmbim të territoreve por siç thashë nuk kemi shkëmbim në Ukrainë sepse Rusia i ka pushtuar ato territore dhe nuk ka se çfarë të shkëmbejë Ukraina përveç se të japë.