'Pronarë të dhjetra apartamenteve bosh!' Gazetari Gjinaj ngre alarmin: Krimi po pastron para përmes bankave!

251 masa sigurie të lëshuara nga SPAK që prej krijimit të saj nuk janë ekzekutuar.  Kjo e dhënë u konfirmua nga vetë SPAK në përgjigje të një informacioni të kërkuar nga Syri Televizion për gazetarin Fatjon Gjinaj.

Por sa domethënëse është kjo shifër?

“Është domethënëse si shifër. Dihet botërisht që në shumicën e operacioneve një pjesë kanë qenë me partnerët të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm. Bëhet fjalë për 15- 18% vendimeve që nuk janë ekzekutuar” thotë gazetari Fatjon Gjinaj i ftuar në studion e Syri Tv.
 

Po për cilat emra bëhet fjalë?

Gazetari Gjinaj përmend disa: Në operacionin “Plumbi i Artë’ Nuredin Dumani ra në duart e policisë se kërkohej Talo Çela, ende në kërkim.

Në operacionin “Revanshi 1 e 2” janë ende të paarrestuar Arben Ndoka e Elio Hato, një hije që përndjek autoritetet e drejtësisë. Një sërë personash ndaj të cilëve u firmos urdhërarrest në dosjen “Metamorfoza” nuk janë kapur. Durim Bami thuhet se është ndaluar në Dubai por ende nuk ka ardhur në Shqipëri.

Tek operacioni “Ura” që goditi organizatën e Troplinëve, kreu i kësaj bande Elvis Doçi, njohur si “Visi i Pojës nuk u kap. Më herët akoma, Suel Çela shijo lirinë, ndonëse është një personazhet më të kërkuara në vend.

Në dosjet e SPAK është provuar se Suel Çela dhe Elvis Doçi kanë informatorë policorë'

Një tjetër fenomen alarmant që u diskutua në studio është dhe pastrimi i parave në ndërtim, përmes blerjes së apartamenteve. Gjinaj ngriti shqetësimin se krimi po pastron para dhe përmes bankave.

Gazetari Edvin Parruca: Ka njerëz që kanë blerë nga 100 apartamente në Shqipëri

"Kanë sekuestruar pasuritë e Julian Ballës. A e dini që një pjesë e pasurive të tij është pronë e bankës. A e dini sa procese gjyqësore janë bërë në GJKKO, që subjekte si Oltion Bistri përmes të tretëve kanë nxjerrë pretendime se pronat nuk janë të tyre. Ka shumë politikanë që janë dënuar dhe u është sekuestruar pasuria ndërsa biznesmenë bëjnë padi në gjykatë me pretendimin se pronat janë të tyre dhe kërkojnë kthimin.   

Krimi po pastron para dhe përmes sistemit bankar. Edhe bankat, dashje pa dashje, me vetëdije ose jo janë pjesë e një skeme që është tepër abuzuese dhe e rëndë jo vetëm për sistemin financiar në vend.

Si ka mundësi që një person që nuk ka një vit figuracion të paguar apo deklaruar është pronar i 30 apartamenteve. Nëse ngremë kokën lart të apartamenteve do të shohim se 80% janë bosh. Kur pyet administratorët, të informojnë se një person ka një kat të tërë. Mjafton të takosh administratorët e pallateve dhe do të shikosh situta është alarmante dhe ka krijuar rrezikshmëri. SPAK pse nuk e heton"