‘Zjarret kanë shkaktuar dëme mbi 300 mln euro’, Blushi: Shkatërrimi i flakëve, pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë

Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për situatën dramatike të zjarreve që kanë përfshirë vendin javët e fundit.

“Ky është armiku i mjedisit,” u shpreh Blushi, duke theksuar se pasojat e flakëve kanë shkaktuar dëme të llogaritura mbi 300 milionë euro. Ai tha, i ftuar në News24, se shkatërrimi i banesave, i bagëtive dhe i ekonomive familjare është rezultat i papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të qeverisë.

Sipas tij, me vetëm 20 milionë euro qeveria do të kishte mundur të merrte masa parandaluese, duke shmangur dëmin e madh ekonomik. “Në vend që të shtonte fondet për emergjencat civile, Rama ka alokuar vetëm 21 milionë euro në vit,” theksoi Blushi.

Deputeti i PL-së shtoi se pas çdo katastrofe të tillë qëndron vetëm papërgjegjshmëria e qeverisë, e cila sipas tij i ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit.