Mashtrimi i INSTAT me shifrat e eksporteve/ Berisha: Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë
Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se qeveria shqiptare po manipulon rëndë opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare përmes shtrembërimit të të dhënave ekonomike dhe statistikave zyrtare.
Në një deklaratë për media , Berisha denoncoi atë që ai e cilëson si “mashtrimin më banal dhe më primitiv” të qeverisë, duke theksuar se eksportet e raportuara nga Shqipëria drejt Kosovës nuk janë gjë tjetër veçse mallra në tranzit, që kalojnë përmes territorit shqiptar pa sjellë vlerë reale ekonomike.
Ai solli si shembull importimin e naftës nga Kosova nëpërmjet Portit të Durrësit dhe transportimin e saj me autobote në Kosovë, një praktikë që, sipas tij, qeveria e Edi Ramës e llogarit në mënyrë të rreme si eksport shqiptar.
Pjesë nga deklarata:
Nuk ka mashtrim më banal, më primitiv.
Shkarkon Kosova naftë në Durrës me cisterna për ta transportuar me autobote në Kosovë, ky quhet eksport i Shqipërisë në Kosovë. Ky transit.
Identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, Easyjet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe diku në aeroport apo jashtë tij dhe as nuk flenë dhe as shpenzojnë asgjë, thjesht shkojnë në destinacionet që u garantojnë linjat e lira ajrore.
Shikoni me çfarë zyrtarësh kemi të bëjmë, të shpëlarë nga çdo karakter, qoftë profesional, intelektual, zyrtar, se si mashtrojnë popullin e vet.
Se si mashtrojnë botën.
Mos harroni se statistikat e INSTAT-it janë statistika që në mirëbesim citohen nga EUROSTAT-i.
Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Narkoekonomia në Shqipëri është zhvillimi më dramatik i narkoshtetit.
Është pikërisht narkoekonomia, ajo që ka sjellë rënie progresive të pandalshme në 3 vitet e fundit të prodhimit të përgjithshëm industrial, të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe në veçanti të eksporteve të vendit.
Ekonomia shqiptare bazohet kryekëput në narkondërtimin, i cili është tre herë më i lartë në tregues se sa mesatarja e ndërtimit në BE dhe është me distancë më i larti në Europë.
Pra, të mashtrosh me eksportet, të cilat po t’u zbresësh importet e Kosovës, që Edi Rama me ministrin e tij të financave dhe institutin e tyre, i llogarisin si ri-eksporte të Shqipërisë...
Ri-eksporti është kategori krejt tjetër. Ai është transit. Shkarkohet në Porto Romano nafta dhe nga cisternat e Porto Romanos kalon me autobote në Prishtinë.
Ky është një akt i paprecedent.