Letra e hapur nga shkencëtarët dhe biznesmenët serbë në SHBA: Shpallni zgjedhjet
Grup i shkencëtarëve, investitorëve dhe drejtuesve të kompanive nga Amerika, me origjinë serbe, ka dërguar një apel publik për daljen e Serbisë nga kriza aktuale shoqërore dhe politike përmes forcimit të institucioneve, stabilitetit dhe sundimit të ligjit.
Ata theksojnë se zgjidhja më legjitime është mbajtja e zgjedhjeve demokratike dhe të lira, duke nënvizuar se qëllimi i tyre nuk është përkatësia politike, por mbështetja e stabilitetit të vendit.
Në letrën e tyre, që e nënshkruajnë shkencëtarë dhe biznesmenë të njohur nga universitetet dhe kompanitë amerikane, paralajmërohet se eskalimi i konflikteve dhe dhunës po thellon ndjeshëm krizën që zgjat më shumë se nëntë muaj. Autorët e shkruajnë se kërcënohet përparimi ekonomik, sfidat demografike po rriten dhe largimi i të rinjve të arsimuar po shtohet.
Nënshkruesit kujtojnë se studentët kanë mobilizuar disa herë një numër të madh qytetarësh dhe bëjnë thirrje për institucionet kompetente – Kuvendin dhe Presidentin – që të shpallin zgjedhjet në përputhje me kompetencat kushtetuese, duke siguruar një de-eskalim të qetë dhe gradual të situatës. Ata theksojnë se të gjitha palët duhet të marrin një rol konstruktiv për të garantuar zgjedhje të lira, duke përfshirë qasje në media, lista votuesish të përditësuara dhe vëzhgues të pavarur.
Autorët e letrës nënvizojnë se Serbia mund të përfitojë nga mundësitë e zhvillimit vetëm si një shtet funksional me sundim të ligjit, korrupsion të ulët dhe klimë të qëndrueshme biznesi. Letra përfundon duke theksuar se qëndrimet e tyre bazohen në patriotizëm dhe dëshirën për të nxjerrë vendin nga kriza, duke vënë mbi gjithçka mirëqenien e Serbisë.
“Bota e shkencës, teknologjisë, tregtisë dhe gjeopolitikës po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe nuk pret askënd. Serbia mund të shfrytëzojë mundësitë e zhvillimit vetëm si një shtet funksional me sundim të ligjit, nivele të ulëta korrupsioni dhe një klimë të qëndrueshme biznesi. Me bindjen e thellë se mirëqenia e Serbisë është mbi dallimet tona, ne theksojmë se qëndrimet tona bazohen në patriotizëm dhe dëshirën për të vendosur stabilitet dhe sundim të ligjit në Serbi”, thuhet në letrën e nënshkruar nga:
Nenad Tomašević, Themelues dhe CEO, DrenBio
Nikola Božinović, Themelues, Frame
Alexander Kolicich, 8VC, Partner Themelues
Gordana Vunjak-Novakovic, Profesore, Universiteti Columbia, Nju Jork
Brano Perkovich, Menlo Park, Kaliforni
Nenad Grmuša, CEO, DEM Therapeutics
Sasha Novakovich, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Alchemy
Stefan Vitorovic, Bashkëthemelues, Vida Venture, Bashkëthemelues dhe Drejtor Menaxhues, Juvia Group
Janko Ž. Nikolich, Profesor, Universiteti i Arizonës, Phoenix
Voja Laliç, San Francisko, Kaliforni
Milan Stojanoviq, Profesor në Universitetin e Kolumbisë
Sasha Ostojic, Palo Alto, Kaliforni
Jovica Badjić, Profesor, Universiteti Shtetëror i Ohajos
Dragan Petrovic, Union City, Kaliforni
Ivan Smiljanić, Bashkëthemelues i Innovation Properties Group
Nebojsa Radovic, San Francisko, Kaliforni
Kjo letër vjen në një kohë kur polarizimi politik, korrupsioni dhe largimi i të rinjve të arsimuar janë probleme gjithnjë e më të pranishme, dhe apeli i ekspertëve nga diaspora nënvizon nevojën urgjente për zgjidhje demokratike dhe institucionale.