Vllaznia forcon mesfushën, firmos me lojtarin e kombëtares së Moldavisë

Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e mesfushorit të kombëtares së Moldavisë, Cristian Dros, i cili sezonin e kaluar luajti për Elbasanin. Lajmi u bë publik nga klubi shkodran përmes faqes zyrtare, ku konfirmohet se mesfushori ka firmosur kontratë deri në vitin 2027.

“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur akordin me futbollistin Cristian Dros. Mesfushori që sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Elbasanit, tashmë do të jetë kuqeblu deri në vitin 2027. Welcome Cristian”, shkruhet në postimin e klubit.

Me këtë transferim, mesfusha e Vllaznisë bëhet edhe më konkurruese, duke i dhënë trajnerit Armando Martini më shumë alternativa për të zgjedhur në qendër të fushës.

E vetmja zonë ku Vllaznia duket se kërkon ende përforcime mbetet sulmi. Fokus i klubit mbetet marrëveshja me Charles Bismark nga Skënderbeu, ku bisedimet janë në rrugë të mbarë dhe pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.