Rudy Gernreich - njeriu që shpiku tangat/ Më shumë se një trend, një mesazh...politik
Tangat, copëza e vogël pëlhure që sot duket se dominon plazhet dhe rrugët, nuk lindën thjesht për të joshur apo për të bërë trend. Ideja që fshihej pas tyre ishte më e thellë dhe më radikale: çlirimi i trupit dhe kundërshtimi i censurës. Kjo copë e vogël u krijua nga stilisti austriak Rudy Gernreich dhe, si shumë nga veprat e tij, kishte një mesazh politik të qartë.
Në verën e vitit 1974, Venice Beach në Los Angeles u transformua në një vend ku lakuriqësia dominoi plazhin. Një shpëtimtar kujtoi për LA Times se “ishin të gjithë lakuriq”. Askush nuk e dinte saktësisht se si ndodhi kjo, por ishte e qartë se euforia nudiste ishte fryt i epokës së hipive, dhe njerëzit gëzonin lirinë që trupat e tyre të mos ishin të ndaluar nga ligji. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë: menjëherë pas bujës së mediave, ndërhynë gazetarët dhe pastaj policia, duke ndaluar larjen nudo në mënyrë të prerë.
Pikërisht kjo censurë e trupit i dha Gernreich-it një shkak për t’u rebeluar. Në përgjigje, ai krijoi tangat – një copë të vogël pëlhure që mbulonte vetëm më themeloret. Ai nuk kishte qëllim të seksualizonte trupin, përkundrazi, besonte se çlirimi i trupit do të ndihmonte shoqërinë të çlirohej nga kompleksi i saj seksual. “Çlirimi i trupit do ta shërojë shoqërinë nga kompleksi i saj seksual”, thuhet se kishte thënë stilisti.
Rudy Gernreich lindi më 8 gusht 1922 në Vjenë dhe u detyrua të largohej nga nazistët në vitin 1938, duke gjetur strehë në Los Angeles. Babai i tij kishte vënë vetën në jetë kur Rudy ishte vetëm tetë vjeç, ndërsa nëna e tij shiste ëmbëlsira derë më derë për të mbajtur familjen. Rudy i ri punoi edhe duke pastruar kufoma për autopsi, një eksperiencë që, sipas tij, e ndihmoi të kuptonte trupin e njeriut, edhe pse më vonë ai studioi artin dhe punoi si kostumograf dhe balerin.
Karriera e tij në Los Angeles reflektoi gjithmonë magjepsjen me trupin dhe dëshirën për të thyer tabutë. Në një kohë kur homoseksualiteti ishte ende i paligjshëm në SHBA, Gernreich jetonte hapur si burrë homoseksual dhe ishte bashkëthemelues i Shoqërisë Mattachine, një nga organizatat e para për të drejtat e personave LGBTQIA+. Ai besonte se e ardhmja e modës ishte unisex: “Rrobat nuk do të dallohen më si të burrave apo të grave”, parashikoi ai në vitet 1970. Për panairin e Osakës në vitin 1970, ai prezantoi një koleksion të tërë unisex, ku modelet, meshkuj dhe femra, ishin pa grim dhe të rruar pastër.
Një nga krijimet e tij më të famshme, monokini i vitit 1964, konsiderohej skandaloz për kohën, sepse zbulonte plotësisht gjoksin e grave, përveç dy shiritave të hollë prej pëlhure. Ai besonte se gratë duhet të kenë të drejtën të tregojnë thithat e tyre, po aq sa burrat, dhe mbi të gjitha, të vendosin vetë çfarë veshin. “Nuk më pëlqen t’u them grave se çfarë të veshin”, tha ai në një intervistë me AFP në vitin 1966.
Sot, tangat janë rikthyer falë modeleve të viteve 2000 dhe duket se kanë pushtuar modën e plazhit dhe veshjet e përditshme. Por shumë nuk e dinë se kjo copë e vogël pëlhure nuk është thjesht një trend estetik – ajo mbart një mesazh të fortë politik dhe kulturor për lirinë e trupit, për barazinë gjinore dhe për mundësinë e individit për të zgjedhur vetë. Në një epokë kur censura e trupit dhe lakuriqësia publike mbeten debate të ndezura, Rudy Gernreich mbetet një vizionar dhe pionier, një njeri përpara kohës së tij, që përdori modën për të thyer tabutë dhe për të ndryshuar mënyrën se si shoqëria sheh trupin dhe zgjedhjet personale.