Protestë para Gjykatës Themelore në Novi Sad: Studentët bllokojnë ndërtesën, kërkojnë lirimin e të ndaluarve

Qytetarë të thirrur nga studentët janë mbledhur sot para Gjykatës Themelore në Novi Sad, ku me bllokadë synojnë të ushtrojnë presion mbi autoritetet për lirimin e atyre që i cilësojnë si “të burgosur politikë”. Në ndërtesë dhe oborr janë vendosur pjesëtarë të Njësisë së Ndërhyrjes së Policisë me pajisje të plota kundër trazirave.

Protestuesit janë shpërndarë në të katër hyrjet e gjykatës, duke mos lejuar askënd të hyjë brenda. Ata bëjnë zhurmë me bilbila, vuvuzela dhe daulle, ndërsa rruga Sutjeska vazhdon të mbetet e hapur për qarkullimin e automjeteve. Për momentin, situata paraqitet e qetë, por punonjësit e gjykatës nuk po hyjnë në ambientet e brendshme.

Studentët paralajmëruan se do ta mbajnë gjykatën e bllokuar çdo ditë derisa të lirohen të ndaluarit, për të cilët pretendojnë se janë arrestuar pa prova dhe me akuza të rënda të pabazuara. Ata e cilësojnë këtë veprim si një akt rezistence kundër “arrestimeve të pabaza dhe dhunës ligjore”.

Në total, 12 persona janë arrestuar deri më tani, ndërsa gjashtë të akuzuar për tentativë vrasjeje të rëndë gjatë një sulmi të dyshuar ndaj pjesëtarëve të Njësisë Speciale Ushtarake “Cobra” në protestën e javës së kaluar janë lënë në paraburgim deri në 30 ditë. Pesë prej tyre po mbahen në burgun e Klisës, ndërsa një është vendosur në arrest shtëpiak me monitorim elektronik për arsye shëndetësore.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe ditët e kaluara para gjykatës, por nga sot bllokada e ndërtesës është zyrtarizuar. Studentët thonë se nuk do të tërhiqen pa u liruar të gjithë të ndaluarit.