Trump: Po përgatitet takim mes Putin dhe Zelensky, hap i mirë drejt paqes

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një përmbledhje të një dite të gjatë në pune për paqen në Shtëpinë e Bardhë.
Përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, Trump thotë se nga takimet e zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë me liderët kryesorë të vendeve evropiane dhe të NATO-s, ku është diskutuar për garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe mundësinë e paqes me Rusinë, shpreson që po shkohet drejt një paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
 
Trump tha pas takimeve me Zelensky-n dhe liderët europianë se ka biseduar me Presidentin Vladimir Putin dhe se së shpejti do të zhvillohet një takim mes Putinit dhe Presidentit Volodymyr Zelenskyy, në një vend që do të përcaktohet më vonë. Pas këtij takimi, sipas tij, planifikohet një trilateral mes të dy presidentëve dhe vetë Trump.
 
“Ky ishte një hap shumë i mirë për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet,” shkroi Trump, duke shtuar se Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari Special Steve Witkoff po koordinojnë nga afër me Rusinë dhe Ukrainën.
 
Postimi i Trump më Truth Social:
 
Pata një takim shumë të mirë me të ftuarit e shquar: Presidentin Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës, Presidentin Emmanuel Macron të Francës, Presidentin Alexander Stubb të Finlandës, Kryeministren Giorgia Meloni të Italisë, Kryeministrin Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, takim i cili përfundoi me një diskutim të mëtejshëm në Zyrën Ovale.
 
Gjatë takimit diskutuam garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofroheshin nga vende të ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë janë shumë të lumtur për mundësinë e paqes për Rusinë dhe Ukrainën.
 
Në përfundim të takimeve, e thirra në telefon Presidentin Putin dhe fillova përgatitjet për një takim, në një vend që do të përcaktohet më vonë, midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelenskyy. Pas këtij takimi, do të kemi një trilateral, ku do të jenë të dy presidentët, plus unë.
 
Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që ka vazhduar për gati katër vjet.
 
Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff po koordinohen me Rusinë dhe Ukrainën.
Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!