VIDEO/ Kedhi: Takimet në Uashington, jemi në një rrugë të mirë për përfundimin e luftës në Ukrainë
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Nikola Kedhi i ftuar në SYRI TV, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit që po ndodhin në Uashington, SHBA për fatin e luftës në Ukrainë.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Kedhi u shpreh se, këto janë përpjekjet më serioze për ti dhënë fund kësaj lufte dhe duket se, kjo është një rrugë e mirë.
‘Sipas presidentit Trump, Rusia ka bërë një lëshim që do të marrë disa garanci ushtarake për të kënaqur Perëndimin në mënyrë që të gjitha palët të jenë të kënaqura, që kanë një garanci për sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës në të ardhmen.
Por se çfarë do të thotë kjo, konkretisht nuk është se ka diçka të qartë.
Sekretari Rubio, të dielën në disa media tha se, çfarë prisnit që të bënim? Të bënim gjeste të pahijshme ndaj Putin që të kënaqnim gjithë botën dhe për të thënë, se ne jemi moralisht superior, apo janë më të frytshme negociatat për të arritur një paqe, për të parë se çfarë kërkon Putin nga kjo paqe e qëndrueshme.
Dhe kjo është ajo që kanë bërë. Nuk është se Presidenti Trump apo Rubio ngritën Putinin në një lider botëror. Putin është presidenti i një vendi që ka arsenal bërthamor dhe automatikisht e ngre atë, sado kriminel lufte që disa mund ta quajnë dhe është një agresor i një shteti sovran si Ukraina. E ngre në nivel të një lideri botëror për shkak të arsenalit që ka dhe jo gjë tjetër.
Mendoj se jemi në një rrugë të mirë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Liderët europianë ishin të këtij mendimi. Të gjithë kishin veç se fjalë të mira për të thënë për Trump dhe përpjekjet e tij. Të gjithë thanë se, kjo është tentativa më e qartë dhe e afërt për përfundimin e luftës në këto 3 vite’, tha Nikola Kedhi në SYRI TV.