Takimi në Shtëpinë e Bardhë/ Nesho: Një hap larg paqes së qëndrueshme! Kjo do ishte fitore e madhe
Diplomati Agim Nesho në një lidhje të drejtëpërdrejtë me Syri Tv komentoi takimin në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe liderët europianë.
Nesho e quajti samit historik dhe një hap drejt një paqeje të qëndrueshme.
“Po vijmë në një samit historik. Një hap larg një paqeje të qëndrueshme dhe kjo është një fitore tepër e madhe diplomatike e kësaj administrate e personalisht presidentit Trump.
Jemi drejt një rruge që mund të sjellë paqe të qëndrueshme. Vendet europiane kërkojnë armëpushim. Konferenca në Uashington nuk do të bëhej nëse nuk do të kishte kontradikta mes presidentit Trump, Zelensky, dhe liderëve europianë.
Janë thënë dy gjëra kryesore. Çështja e Krimesë, që prej 2014 i takon Rusisë. Është dhe çështja e NATO-s. Pjesëmarrja e Finlandës është shumë e rëndësishme. Është fat në këto momente që mendohet se mund të ndalohet lufta, sepse lufta mund të vazhdojë me Putinin, ish pjesëtar i KGB-së që nuk ka për gjë të vriten 1 milionë rusë vetëm të realizojë projektin e tij të madhërishëm për të rikthyer perandorinë ruse në Europë apo të sulmojë një pjesë të vendeve të Europës Lindore për të cilët ka pretendime se i takojnë zonat e influencës. Nëse realizohet shpejt paqja do të ishte një fitore tepër e madhe” tha Nesho për gazetaren Armela Ferko.
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që Ukraina të dorëzojë Krimenë ndaj Rusisë dhe të tërhiqet nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO.
Në një postim të së dielës në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump shkroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mund të përfundojë menjëherë luftën me Rusinë nëse pranon këto kushte.