Iu hoq mandati, Dodik sfidon sërish drejtësinë: Do të mbetem President i Republika Srpska
Milorad Dodik, të cilit sot iu hoq mandati si President i Republika Srpska (RS), ka deklaruar se nuk do ta respektojë vendimin dhe se do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij si kreu i atij entiteti të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Nuk do ta respektoj. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ju ishit arrogant dhe prisni që unë të jem i nënshtruar. Nuk do të jem. Unë jam president i Republikës Srpska, dhe ju mund të shkruani çfarë të doni. Unë u zgjodha nga populli, nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj”, tha Dodik në rrjetin social X.
Ai akuzoi autoritetet se nuk respektuan Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, as Kushtetutën e RS-së dhe as ligjin, duke shtuar se “secili do të veprojë sipas mënyrës së vet”. “Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen”, përfundoi ai.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës sot hodhi poshtë ankesën e Dodikut ndaj vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili ia hoqi mandatin pas shpalljes së një vendimi gjyqësor. Sipas këtij vendimi, Dodik u dënua me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione politike, për shkak të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.
Pas vendimit të sotëm, Dodik zyrtarisht nuk është më President i RS-së. KQZ-ja është e detyruar të shpallë zgjedhje të parakohshme për këtë post brenda 90 ditëve.